17.5 C
Tirana

Niveli i lartë i papunësisë rrit interesimin e mjekëve për të lënë Kosovën

Më datë:

Më shumë se 600 mjekë në Kosovë janë të papunë, prej të cilëve, sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 60 janë mjekë specialistë. Institucionet publike shëndetësore, në anën tjetër, kanë kumtuar se kanë nevojë edhe për pesë mijë mjekë të rinj që të punësohen.

Ndërkohë në Odën e Mjekëve të Kosovës, gjatë vitit 2019, thuhet se 115 mjekë kanë kërkuar dokumente për punësim jashtë Kosovës.

Numri më i madh i tyre, bazuar në Odën e Mjekëve, kanë qenë mjekë të rinj, të cilët nuk kanë mundur të punësohen në Kosovë në profesionin e tyre, ndonëse sistemi shëndetësorë ka mungesë të vazhdueshme të mjekëve.

Aktualisht, Kosova nuk ka numër të saktë të mjekëve të cilët e kanë lëshuar vendin për të punuar në shtetet e Bashkimit Evropian apo edhe më larg.

Gjatë vitit 2018, kanë qenë 110 mjekë që kanë kërkuar në Odën e Mjekëve certifikata që u duhet për punësim jashtë vendit.

Kështu thotë Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, i cili i tha Radios Evropa e Lirë se ndonëse nuk dihet se sa mjekë kanë ikur jashtë vendit, tendenca e tyre për punësim në vendet e Bashkimit Evropian, posaçërisht në Gjermani, është në rritje.

“Për vitin 2019 kemi pasur 115 kërkesa për certifikata për punësim jashtë vendit, por nëse e shohim se sa mjekë po o ndjekin kurset e gjuhëve të huaja, numri është ekstrem i madh dhe në bazë të kësaj shohim që pritjet janë se mund të ketë një ikje edhe më e madhe. Rreth 95 për qind e mjekëve që kanë kërkuar certifikata, janë mjekë të përgjithshëm dhe mjekë të papunë. Pra, këta mjekë kanë qenë duke pritur punësimin (në Kosovë), i cili nuk ka ndodhur dhe kanë ikur jashtë vendit”, thekson Sejdiu.

Sipas Sejdiut, ndonëse sistemi publik shëndetësorë ka nevojë për mjekë, meqë ka mungesë të tyre në të gjitha fushat mjekësore, punësimi nuk ndodh për shumë arsye.

“Mendoj se është mungesa e një qasje më strategjike dhe jo e buxhetit, pasi ai mund të ribuxhetohet në bazë të prioriteteve. Por, nuk ka një koordinim të mirë mes komunave dhe ministrive, andaj edhe mjekët mbesin pa punë në Kosovë”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, tha se një mjek specialist shtetit të Kosovës i kushton më shumë se 100 mijë euro që ta shkollohet, derisa shton se më pas nuk kanë një strategji të qartë se si do të punësohen ata.

Syla thotë se vetëm shteti gjerman është duke i kërkuar deri në 100 mijë mjekë në vit, andaj ky shtet, sipas tij, ka edhe programe të veçanta për t’i rekrutuar mjekët.

“Kemi shpresuar që kalon Ligji i pagave, ku është trajtuar edhe çështja e mjekëve të rinj, të posa-diplomuar dhe fatkeqësisht ky ligj ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë kemi mungesë mjekësh në shumë vende të Kosovës. Por, punësimi nuk po ndodh, derisa interesimi i vendeve të ndryshme në botë është shumë i madh për rekrutim të mjekëve. Në hulumtimin fundit që e kemi bërë si sindikatë ka rezultuar se rreth 500 mjekë e kanë lëshuar Kosovën për punë dhe kushte të punës më të mira. Por, numri i saktë se sa mjekë ikin nga Kosova nuk dihet, pasi jo të gjithë lajmërohen se po shkojnë, përpos ata që lajmërohen në Odën e Mjekëve. Ndërkaq, sa i përket infermierëve janë dy deri në tre në ditë që e lëshojnë Kosovën”, thotë Syla.

Ndryshe, një mjek specialist paguhet me 600 euro në muaj. Profesionistët shëndetësorë në Kosovë, në vazhdimësi kanë kërkuar që t’u rriten pagat. Me Ligjin e ri të Pagave ishte paraparë që mjeku specialist të paguhet me rreth 1,200 euro në muaj.

Pagat me rritje ishte paraparë t’i marrin në muajin dhjetor të vitit 2019. Megjithëkëtë jo vetëm profesionistët shëndetësorë, por rreth 82 mijë persona që paguhen nga buxheti i Kosovës, do të vazhdojnë t’i marrin pagat e njëjta, pa rritje, deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, pasi që Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së parashtruar nga Avokati i Popullit, e ka pezulluar zbatimin e Ligjit.

Ndërkohë, Blerim Syla shton se pasojat do të shihen pas rreth pesë vjetësh, pasi ikja e mjekëve, mospunësimi i mjekëve të rinj dhe mosha mesatare e mjekëve aktualë në Kosovë që tashmë ka arritur 53 vjeç, sipas tij, do ta sjellë Kosovën në një gjendje të palakueshme.

“Plakja te mjekët është marramendëse. Rreth 53 vjeç është mosha mesatare, derisa rritje të vendeve të punës nuk po ka. Mendoj se pacientët do ta pësojnë dhe mungesa e mjekëve do të bëhet problem, ku pacientit do t’i duhet të udhëtojë me kilometra për ta takuar një mjek specialist në të ardhmen, nëse vazhdon ky trend”, tha Syla.

Njëri nga mjekët që tashmë ka vendosur ta lëshojë Kosovën është edhe Yll Mehmeti, i cili ka folur për Radion Evropa e Lirë.

Ylli është mjek radiolog, i cili ka vendosur të punojë në Gjermani në profesionin e tij, siç thotë ai, me kushte dhe pagë më të mirë.

“Për të krijuar kontakte me cilindo shtet, për t’u punësuar si mjek, është shumë e lehtë, pasi atje kërkohen shumë mjekë. Vetëm gjuha është një faktor shumë i rëndësishëm, që duhet ta flasësh, tjerat janë shumë jo relevante për të gjetur punë dhe të sistemohesh, sidomos në Gjermani, aty ku edhe unë kam vendosur të shkoj. Ka shumë faktorë që më kanë bërë të krijoj këtë bindje për ta lëshuar Kosovën. E para dhe më kryesorja është perspektiva që ofrojnë vendet e perëndimit, në këtë rast Gjermania dhe normalisht të ardhurat janë më të mira në krahasim me vendin tonë”, tha Mehmeti.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtori i informimit, Faik Hoti thotë se punësimi është i lidhur me nevojat që i kanë institucionet shëndetësore dhe buxhetin në dispozicion për punësimin e mjekëve.

“Një problem që e ka shoqëruar punësimin e mjekëve në kohë optimale pas licencimit të tyre është se ka institucione që janë të ngarkuara me profile të caktuara, ndërsa kanë mungesë të disa profileve specifike, sikur që interesimi i mjekëve është shumë më i madh për të punuar në zona urbane e shumë më pak në zona rurale”, tha Hoti.

“Po ashtu, është fakt i njohur se për vite të tëra nuk ka pasur një harmonizim midis kërkesave të institucioneve shëndetësore për mjekë dhe numrit të studentëve të regjistruar në mjekësi, që do të thotë se një resor, duke lejuar numër më të madh të studentëve në mjekësi, e ka futur në presion resorin tjetër për t’i punësuar ata pas diplomimit si mjekë”, tha Hoti.

Hoti shtoi se megjithëkëtë duke e parë nevojën e ruajtjes së kuadrit mjekësor në vend dhe zhvillimit të sektorit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë është duke finalizuar Planin Strategjik të resurseve humane në shëndetësi dhe është e pritshme që një numër i konsideruar i mjekëve të papunë do të angazhohen në punë në vitin 2020.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Plagosi 41-vjeçarin me thikë në Vlorë, momenti kur autori vihet në pranga 

Policia e Vlorës ka vënë në pranga 51-vjeçarin Abaz...

Zgjidhen anëtarët e rinj të KED për vitin 2025

Në Institucionin e Presidentit të Republikës u hodh sot...

Nis shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët

Ditën e sotme ka nisur shpërndarja e bonusit të...

Vrasja e shqiptarit në Itali, 37-vjeçari arrestohet 7 vite pas ngjarjes

Shtatë vjet pas vrasjes së 33-vjeçarit Edvin Sadiku në...