Nga Wolf BIERMANN*: Tragjedia e Angela Merkel

Tashmë, në shekullin e 21-të, ne gjermanët ndodhemi në një tjetër udhëkryq: midis avancimit të guximshëm drejt një Europe liberale, kozmopolitane dhe një tërheqjeje frikacake drejt nacionalizmave të mjerë të shekullit të 19-të.

Unë kam jetuar dy epoka të errëta: diktaturën naziste dhe diktaturën komuniste të Gjermanisë Lindore. Në Berlinin Lindor, kalova 12 vjet të jetës sime ku më ndalohej të performoja. Ishte kohë e mirë pavarësisht të gjithave – këngët e mia rebele dhe poemat kritike u përhapën në mënyrë më efikase pasi ishin ilegale. Në vitin 1976, unë u dëbova përkundër vullnetit tim nga Gjermania në Gjermani. Deklaratat ndërkombëtare të solidaritetit që protestonin kundër azilimit tim të paligjshëm, dhe sidomos protestat nga brenda Gjermanisë Lindore, e lëkundën regjimin.

Gjatë luftës së Ftohtë, unë isha i sigurtë se muri i Berlinit do të zgjaste me shumë sesa jeta ime. Në vitin 1989, kur revolucioni paqësor i gjermano-lindorëve rrëzoi murin, pesimizmi im melankolik u shfaq të ishte iluzion. Isha kaq i gëzuar që u zhgënjeva.

Ribashkimi i atdheut tonë të ngrënë nga ndjesia e fajit, u vendos në axhendën e historisë botërore. Ribashkimi u pranua shpejt nga amerikanët, në mënyrë kaotike nga rusët, me skepticizëm nga francezët dhe me hezitim nga britanikët.

Kur gjithë blloku lindor nisi të shkërmoqej, pa ndonjë zhurmë të madhe, pa luftë të nxehtë, ka ndonjë përballje të përgjakshme civile, e dija me siguri se që këtej e tutje, në të gjithë Europën, ne do të këndonim një këngë të re dhe më të mirë për jetën. Mjaft me eksperimentin komunist mbi kavjet humane! Liri fjale! Paqe! Dhe Demokraci!

Kancelari gjermano-perëndimor, Helmut Kohl, u tregoi bashkëpatriotëve një përrallë zbutëse që ribashkimi do të kushtojnë jo aq shumë sa ata kishin frikë. “Ne do të paguajmë këto shpenzime nga xhepi ynë i ndryshimit”, u premtoi atyre. Dhe si një Mesia profan, ai u premtoi gjermano-lindorëve “peizazhe të lulëzuara”. Pak më vonë, premtimet e Kohlit u dëshmuan të ishin gjysmë të vërteta: Perëndimi nuk falimentoi nga 2 trilionë dollarët që shpenzoi për të rindërtuar Lindjen. Dhe në Gjermaninë Lindore, disa qytete dhe peizazhe po lulëzojnë edhe më bukur sesa shumë qytete e komunitete në perëndim të vendit tonë.

Megjithatë, dekadat e fundit na kanë mësuar sesa shumë më e lehtë është të ndërtosh rrugë të reja, shtëpi të reja dhe fabrika moderne, sesa të shndërrosh shtetas të nënshtruar në demokratë tolerantë. Në atë revolucion paqësor 30 vjet më parë, gjermano-lindorët “ossis” e çliruan veten më në fund – por më pas iu desh të përvetësonin mësimin e vështirë se fjala magjike “liri” do të thotë asgjë më shumë apo më pak sesa të marrësh përgjegjësi për veten. Liria u dhemb njerëzve të trajnuar si skllavë. “Ostalgjia” ishte termi më i ri, tallës që unë përdorja për të përshkruar mallin klandestin për leverditë e diktaturës. Dhe në ish-Gjermaninë Lindore, rritja e prosperitetit perëndimor po ashtu solli një paranojë të re, një frikë paradoksale të bjerrjes sociale.

Në vitin 2015, kur kancelaria jonë, Angela Merkel vendosi të hapë kufijtë e Gjermanisë për refugjatët e luftës, sidomos ata nga Siria dhe Afganistani, situata ishte tragjike. Duke parë Shekspirin në teatër, mund të kapësh disi domethënien e tragjedisë: çdo zgjidhje e mundshme është e gabuar. Heroit dramatik nuk i duhet të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes, por nëse duhet ta bëjë një gabim apo jo. Në një katastrofë të këtij lloji, çdo zgjedhje është e gabuar.

Për mua, një fëmijë i traumatizuar i botës, në zemër të Europës, është e qartë – dhe e kam mësuar këtë të vërtetë nga përvoja personale – që demokracia edhe më e papërkryer është më e mirë sesa diktatura më e mirë. Tre vjet më parë, në një situatë emergjence, Merkel zgjodhi të mos përdorë telat me gjemba, armët e ujit, automatikët dhe tanket për të ndjekur tutje me mijëra refugjatë të dëshpëruar në kufirin gjerman, të mos i dëbojë ata në Austri, Hungari, Greqi, Turqi dhe mundësisht pas në luftë në Siri apo Afganistan. Po, po ishte një gabim. Por ishte gabimi më i vogël, më i mirë. Gabimi “i drejtë”.

Unë e mbështes plotësisht kancelaren tonë, për shkak se ajoe dëshmoi veten të jetë një humaniste energjike, për shkak se ajo veproi si një kristiane e vërtetë dhe se mbeti një evropiane stoike pavarësisht turbulencave të brendshme të Europës. Ajo i tregon botës fytyrën miqësore të nacionalitetit njerëzor.

Ai gabim i mrekullueshëm që ajo bëri tre vjet më parë tërhoqi për Merkëlin një valë simpatie nga e gjithë bota. Vendimi i saj i guximshëm bëri të paktën po aq shumë për imazhin e Gjermanisë sa edhe “mrekullia ekonomike” që fitoi admirimin e botës në periudhën pas naziste.

Ndërkohë, brenda Gjermanisë, pikëpamjet e ndryshme të gjermanëve të lindjes dhe të perëndimit, pothuajse janë model për ndryshimin midis shteteve Lindore dhe Perëndimore të Bashkimit Europian. Këtu, gjithashtu, ne shohim se efektet e diktaturës nuk përfundojnë me rrëzimin e saj. Vendet e ish-bllokut lindor, ku ka shumë pak të huaj dhe shumë shumë pak refugjatë, kanë frikë më shumë se të gjithë prej tyre.

Sulmet kundër Merkelit pas hapjes së kufirit në vitin 2015, ndonjëherë janë përshkallëzuar në lartësi histerike. Populistët peshkojnë në ujëra të turbullta. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të kujtojmë që partitë që mbështesin polikun e Merkelit për refugjatët janë zgjedhur nga një shumicë e madhe e gjermanëve.

Në këtë kohë, Merkel po përpiqet të bindë shtetet evropiane më të avancuara, në mos të gjitha shtetet, për të ruajtur politikat e një Europe liberale. Drejt këtij qëllimi, ajo thirri një takim me politikanët më të rëndësishëm të Bashkimit Europian këtë javë.

Çështja është sesi shtetet evropiane të arrijnë marrëveshje për të siguruar kufijtë e tyre të jashtëm pa braktisur nocionin e një politike humane për azil-kërkuesit.

Unë besoj se vetëm një Europë me shumë popuj – ashtu si u konceptua fillimisht si “Charlemagne” nga Uinston Çërçilli pas luftës së Dytë Botërore – vetëm një Europë me unifikim të kulturave të ndryshme, në mënyrë demokratike do të jetë në gjendje të krijojë avantazh në një betejë botërore midis fuqive aktuale dhe atyre që po shfaqen si të tilla.

Konfliktet globale kanë sjellë gjithnjë rreziqe të mëdha. Por rreziku më i madh është mungesa jonë e kurajës.

Ishte me këtë frymë që unë shkrova një këngë për veten dhe miqtë e mi guximtarë në Gjermaninë Lindore: “Nëse nuk luan me zjarrin, digjesh”. Madje, edhe të burgosurit politikë në qelitë e tyre përtypeshin me këto fjalë, si bukë për shpirtin.

*Wolf Biermann është një këngëtar gjerman dhe autor tekstesh për këngë. Kjo ese u përkthye nga gjermanishtja për gazetën “The New York Times”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi