Nga integrimi te Ballkani i Hapur/ “Këtë vit finalizojmë…”! Fjala e plotë e Ramës në Samit: Katër liritë e lëvizjes së BE-së në rajonin tonë

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor për Rrugët u zhvillua sot në Tiranë nën moton “Të formësojmë të ardhmen me rrugë të sigurta, inteligjente dhe të qëndrueshme”.

Samiti mblodhi së bashku ministra të vendeve të rajonit për transportin, përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së, organizatave ndërkombëtare, institucioneve rajonale, kompanive rrugore dhe përfaqësues të industrisë, në një diskutim mbi projekte të përbashkëta strategjike, të cilat do të afrojnë edhe më shumë vendet me njëri-tjetrin.

Kryeministri Edi Rama iu adresua Samitit me një fjalë, ku theksoi se zhvillimi i projekteve strategjike ka hyrë në një fazë te re, falë mbështetjes europiane përmes planit ekonomik të investimeve, si edhe falë një sinergjie shumë më të madhe brenda për brenda rajonit për të bashkuar forcat, në funksion të së ardhmes.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:
Ne radhë të parë, ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në Tiranë, qoftë atyre që kanë ardhur nga rajoni ynë, qoftë atyre që kanë ardhur nga Europa jonë.

Është një ditë që nis këtu sot me transportin, sigurinë e rrugëve, qëndrueshmërinë e zhvillimit të gjithë sistemit tonë të transportit dhe që vazhdon më pas për mua në Ohër me një tjetër samit të Ballkanit të Hapur, në funksion të ecjes sa më shpejt drejt realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve dhe jetësimit sa më shpejt në këtë rajon të katër lirive të Bashkimit Europian. Këto 4 liri të lëvizjes së Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor janë pas asnjë diskutim ajo çka për ne është jetike, ajo çka për sigurinë në këtë rajon është jetike, ajo çka për paqen dhe për zgjidhjen e konflikteve në këtë zonë të Europës është jetike.

Nuk dua të zgjatem me projektet, por më vjen mirë që sot ne kemi hyrë dhe në një fazë tjetër edhe falë planit europian të investimeve, planit ekonomik të investimeve edhe falë rritjes së mbështetjes së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të vetë Bankës Europiane të Investimeve, edhe falë një sinergjie shumë më të madhe brenda për brenda rajonit dhe një kuptimi shumë të thellë dhe shumë konkret të domosdoshmërisë për të bashkuar të gjitha këto forca në funksion te së ardhmes.

Ne jemi në një fazë të avancuar tanimë të punës për Korridorin Blu, një nga segmentet e këtij korridori është tanimë në rrugën e ndërtimit. Segmentet e tjera janë në fazën përfundimtare të daljes në tender ndërkombëtar dhe jemi shumë besimplotë që në harkun e këtij mandati të tretë qeverisës, ne do të shikojmë shumë frutet e këtij kantieri shumë të madh dhe mbase jo krejt përfundimin e këtij aksi kaq të rëndësishëm.

Shpresoj shumë që Bashkimi Europian të mbështesë Malin E zi sepse nëse segmenti që lidh Kroacinë me Shqipërinë përmes Malit të Zi për ta finalizuar Korridorin Blu do të mbetet i pazhvilluar njëkohësisht, atëherë sigurisht një pjesë e kuptimit e këtij korridori si një korridor i sistemit europian të transportit do të humbasë.

Nga ana tjetër, na vjen shumë mirë që Korridori 8 ka hyrë në agjendën e diskutimeve dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut, me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ne jemi të koordinuar dhe shpresojmë shumë që edhe për këtë projekt që nënkupton praktikisht një kantier në të dyja anët e kufirit, mbështetja e planit ekonomik të investimeve dhe institucioneve financiare nuk do të mungojë dhe as do të vonojë.
Ndërkohë, jemi duke finalizuar projektin e madh të Portit të ri të Durrësit, i cili praktikisht do të jetë porti i krejt Ballkanit Perëndimor dhe do të garantojë një aksesueshmëri shumë herë më të lartë me kushte absolutisht të tjera dhe më standarde tërësisht bashkëkohore, standarde të Bashkimit Europian për mallrat në të gjithë rajonin dhe përtej rajonit. Kjo e kombinuar me hekurudhën Durrës-Prishtinë ndërkohë që mbas një kalvari të gjatë kemi mundur të zhbllokojmë dhe projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës si dhe me portin e Thatë te Prishtinës, projekt të cilin ne do ta paraqesim në mbledhjen dy qeverive në fund të muajit qershor, do t’i japë një fuqi të madhe të re krejt rajonit.

Tanimë është e kotë që të humbasim kohë për të diskutuar nëse infrastruktura jonë, nëse projektet tona të rrugëve, të aeroporteve, të porteve duhet të jenë kombëtare apo duhet të jenë rajonale sepse pa sensin e drejtimit rajonal të këtyre projekteve, ne jemi të destinuar të mbetemi ende në të shkuarën dhe të humbasim ende kohë, ndërkohë që koha që kemi humbur për kaq e kaq shumë vite të gjithë sëbashku, duke qëndruar me kurriz nga njëri tjetri është me një vlerë të paçmueshme dhe nuk e kemi luksin të humbasim më asnjë ditë jo më muaj dhe vite të tjera.

Në mbyllje dua të them që për ne është shumë e rëndësishme që së shpejti këtë vit finalizojmë qendrën e menaxhimit të integruar të trafikut dhe hyjmë në fazën e zbatimit të projektit të rrugëve “smart” me 200 kilometrat e para, projekt që do ta vazhdojmë vit pas viti dhe kemi ambicien që ta përfundojmë të tërin në një afat kohor të arsyeshëm. Të gjitha këto dhe shumë të tjera që unë s’po i përmend kanë një domethënie të madhe po të kemi parasysh se nga jemi nisur dhe nga vijmë, por mbeten sidoqoftë ende të pamjaftueshme por të kemi parasysh për ku jemi nisur dhe ku duam të mbërrijmë. Në këtë rrugë për ku jemi nisur dhe ku duam të mbërrijmë, mbështetja e Bashkimit Europian, mbështetja e Komisionit Europian, mbështetja e institucioneve financiare europiane është absolutisht e pazëvendësueshme.

E vetmja gjë që unë do thoja në fund dhe do doja ta mbanim mend të gjithë miqtë që kanë ardhur këtu nga Brukseli apo nga krahu perëndimor i rajonit, është që mundësisht të humbasim më pak kohë sepse ne nuk kemi kohë për të humbur. Natyrisht kemi shumë më pak kohë për të humbur sesa koha që ka për të humbur Bashkimi Europian dhe vendet e mëdha që e kanë rentabilizuar më së miri kohën për shumë e shumë dekada por është absolutisht e rëndësishme sot më shumë se asnjëherë tjetër që ecuria e Ballkanit Perëndimor dhe ritmi i kësaj ecurie dhe shpejtësia e kësaj ecurie të jetë pjesë e vëmendjes dhe të jetë pjesë e mbështetjes së strukturave të Bashkimit Europian sepse të presësh nuk e di se sa vite për të bërë një segment hekurudhor nga Tirana në Durrës, që është një segment hekurudhor i një lagjeje të një metropoli të madh, për shkak të burokracisë në institucione europiane, kjo është diçka që realisht dhemb shumë dhe realisht krijon shumë frustrim dhe shkon komplet në të kundërt të qëllimeve të mëdha të përbashkëta dhe natyrisht edhe qëllimit të madh në vetvete të Bashkimit Europian për të inkurajuar sa më shumë që njerëzit tanë të qëndrojnë këtu.

Me këtë fjalë të fundit për të ndryshuar pak sensin e kohës dhe për t’i dhënë kohës një vlerë pak më të madhe kur flitet për të mbështetur konkretisht Ballkanin Perëndimor, unë ju falenderoj të gjithëve për vëmendjen. Shpresoj që isha shkurt, jo aq shkurt sa do desha, por është një sukses i madh gjithsesi që një përfaqësues i një vendi të Ballkanit të flasë më shkurt sesa përfaqësuesit e institucioneve financiare europiane. Kështu që me këtë sukses të vogël që besoj e arrita, ju përshëndes të gjithëve dhe uroj të keni një ditë sa më produktive. Ndërkohë, pasi të flisni për rrugët dhe urat këtu në një sallë të mbyllur keni mundësinë të shijoni dhe Tiranën “by night”. Shumë faleminderit!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi