Numër i madh i kosovarëve janë përballur me sëmundje të ndryshme gjatë vitit 2019.
Duke marrë parasysh rëndësinë që ka shëndeti tek çdo njeri, edhe kërkimi për shërim është gjithnjë mjaftë i madh.
Vetëm gjatë vitit 2019 mbi 1 mijë e 136 kosovarë kanë kërkuar përkrahje financiare për trajtim mjekësorë jashtë Institucioneve Shëndetësorë Publike.
Numri i atyre që kanë përfituar përkrahje financiare për t’u trajtuar jashtë vendit është rreth 1 mijë e 200 qytetarë të Kosovës.
Në një përgjigje të dhënë për Indeksonline nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se vendet në të cilat kosovarët kanë shkuar për trajtim shëndetësor janë: Turqia, Maqedonia, Shqipëria, Gjermania, Kroacia e disa të tjerë.
Sëmundjet e syve, kardiokirurgjike, sëmundja malinje, janë vetëm disa nga problemet shëndetësore që pati më shumti pacientë që kërkuan trajtim jashtë Kosovës.
“Klinikat të cilët më së shumti referojnë pacientë për trajtim janë: Oftamologjia (sëmundjet e syve), Pediatria (sëmundjet kardiokirurgjike, sëmundjet malinje etj), Ortopedia, ORL (otorinolaringologjia), Hemantoonkologjia etj”, thanë për Indeksonline nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore-Zyra e Trajtimit Jashtë Institucioneve-Shëndetësore Publike.
Mungesa e besueshmërisë në institucionet publike shëndetësore dhe shërbimet jo-adekuate bëjnë që qytetarët në vazhdimësi të kërkojnë që shërbimet e tyre të kryhen jashtë vendit, apo në spitale private.
Sigurisht se një gjë e tillë është mjaftë shqetësuese, duke pas parasysh rëndësinë që ka shëndetësia në vend.
Për gjithë këtë situatë të krijuar nga MSH janë deklaruar se në Kosovë janë duke u zhvilluar shërbime të reja shëndetësorë me qëllim që pacientët shërbimet t’i marrin këtu si në fushën e Kardiokirurgjisë, por edhe në klinikat e tjera.
“Në Kosovë janë duke u zhvilluar shërbime të reja shëndetësore me qëllim që pacientët shërbimet t’i marrin këtu si në fushën e Kardiokirurgjise, Kardiologjisë Invazive, Ortopedisë, Oftamologjisë etj. Dhe kjo ka ndikuar që shumë raste që deri vonë janë trajtuar jashtë vendit, të trajtohen në ShSKUK”, u theksua në përgjigjen e dhënë nga MSH.
Por edhe gjatë vitit 2018, numër i madh i kosovarë kërkuan shërim jashtë vendit. Numri i atyre që aplikuan ishte 1 mijë e 432 persona, e ku u shpenzuan afro 9 milionë euro për këtë.
Nga qeverisja në qeverisje ndër premtimet kryesore për t’u realizuar ishte që të investohet më shumë në shëndetësi që të ketë përmirësim të gjendjes me të cilën përballen pacientët thuajse çdo ditë. Ndryshime është vërejtur të ketë pas gjatë kësaj qeverisje, e një prej tyre është nënshkrimi i listës së barnave esenciale. Por duhet ende shumë punë në këtë drejtim, në mënyrë që pacientët të mund të kurohen në Kosovë pa u dashur procedura të gjata e të mundishme që të kërkojnë trajtim shëndetësorë larg Kosovës.