Në gjurmët e të atit! Mick Schumacher, kampion i Europës në F3

Mick Schumacher po ndjek me ritme të shpejta gjurmët e të atit, Michael Schumacher. Djali 19-vjeçar i legjendës së Formulës 1 u shpall kampion i Europës në kampionatin F3, titull që e siguroi në pistën e Hockenheimit, aty ku i ati ka fituar 3 gara në Botërorin e Formulës 1 me Ferrarin gjatë karrierës së tij.

Schumacher Jr. e përfundoi i 12-i garën e parë të këtij Çmimi të Madh, por në të dytën paraqitja e tij ishte shumë më e mirë dhe adoleshenti gjerman u rendit në vendin e dytë, pozicion që i mjaftoi për të fituar edhe titullin botëror.

Ajo e zhvilluar në Hockenheim ishte ndalesa e fundit e Europianit të Formulës 3 dhe Mick Schumacher arriti të marrë pikët e duhura për triumfin përfundimtar. Në fund të kampionatit, 19-vjeçari grumbulloi 329 pikë, duke e lënë rivalin e tij britanik, Dani Ticktum, në kuotën e 290 pikëve.

Gjatë këtij sezoni, fillimi i të cilit ishte shumë i vështirë, Mick Schumacher regjistroi 8 fitore dhe 13 podiume.

Tashmë Mick Schumacher, edhe pse në një moshë shumë të re, fitoi të drejtën për të marrë superlicencën e FIA-s për të kaluar në Botërorin e Formulës 1, por për vitin 2019, me shumë gjasa ai do të garojë në Formulën 2, ose në kampionatin e ri të Formulës 3, që do të bashkohet me kategorinë GP3.

“I jam shumë mirënjohës skuadrës sime, që më dha mundësinë për të përjetuar një eksperiencë të tillë dhe për të realizuar ëndrrën time. Ky titull erdhi falë skuadrës dhe unë ia dedikoj asaj”, tha Schumacher Jr..

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi