Bashkimi Europian (BE) dhe Norvegjia morën vendim për zhvillimin e një takimi të jashtëzakonshëm të Komitetit të Përkohshëm Ndërlidhës (AHLC), i cili koordinon ndihmën ndërkombëtare për Palestinën.
Në një deklaratë me shkrim nga zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë , Federica Mogherini, njoftohet se Mogherini dhe ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Ine Eriksen Soreide, kanë vendosur që nën organizimin e BE-së dhe nën kryesimin e Norvegjisë të mblidhen në Bruksel më 31 janar anëtarët e AHLC.
Në deklaratën ku bëhet e ditur se në mbledhje do të diskutohet për përshpejtimin e iniciativave për zgjidhjen me dy shtete në problemin Izrael-Palestinë, theksohet se do të diskutohet gjithashtu edhe për çështjen që të sigurohet kontrolli mbi të gjithë Gazën nga shteti i Palestinës në kuadër të marrëveshjes së Kajros të datës 12 janar 2017.
AHLC e themeluar në vitin 1993 përbëhet nga 15 anëtarë dhe koordinon ndihmën ndërkombëtare të siguruar për zhvillimin e popullit palestinez. Në mesin e sponsorëve të AHLC presidencën e të cilës e ka marrë Norvegjia përfshihen BE-ja, SHBA, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar./Rtv Drita/