Në Afganistan hapet restoranti i parë për gra

Në veri të Afganistanit, më saktë në Mezar-i Sharif, është hapur restoranti i parë vetëm për gra.

Në këtë vend gjenden shumë restorante dhe kafene, megjithatë, gratë nuk kanë pasur objekt ku si meshkujt mund të relaksoheshin. Restoranti “Bano”, që do të thotë grua, u jep mundësinë grave që në një vend të kënaqen me ushqimin, bisedojnë, lexojnë libra, por edhe të konsumojnë nargjile.

Pronarja e restorantit Zahra Parsa në një deklaratë për AA tha se e ndjeu se mungon një objekt i tillë në qytet, prandaj vendosi ta hap restorantin për gra. Siç tha ajo, në këtë restorant punojnë vetëm gra.

Restorantin në të shumtën e rasteve e vizitojnë studentet, ku njëra prej tyre, Rakiye Kurbani, është vizitore e shpeshtë. Kurbani thekson se ndjehet komode meqë edhe të punësuarit në restorant janë vetëm gra. Për çdo ditë vjen me shoqet pas ligjëratave.

Ajo theksoi se është vështirë të jesh grua në një vend ku ekzistojnë shumë tema tabu, porse ato kanë filluar të luftojnë për të drejtat e tyre. Përveç kësaj, siç theksoi, vendet e tilla japin shpresë për gruan afgane. Gratë në Afganistan rreth katër dekada luftojnë për të drejtat e tyre.

Në kohën e talebanëve grave u është marrë e drejta e votës, si dhe e drejta e punës në institucionet shtetërore dhe radiotelevizione. Me ardhjen e qeverisë së re në vitin 2001, gruaja afgane sërish nuk fitoi të gjitha të drejtat.

Gratë në Afganistan sot janë të ekspozuara ndaj trysnive dhe abuzimeve të ndryshme. Sipas të dhënave të Komisionit të pavarur për të drejtat e njeriut në Afganistan, në vitin 2017 janë regjistruar 3.778 raste të dhunës mbi gratë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi