Ndarja nga jeta e Presidentit Nishani, politika mbarë shqiptare mesazh ngushëllimi

Duka: Të dashur miq, U trishtova shumë kur mësova pak minuta më parë se miku im, Presidenti Nishani, është ndarë nga jeta. Bujar Nishanin do ta kujtoj gjithmonë si një burrë të urtë e të mencur, një dashamirës futbolli dhe tifoz i madh i Kombëtares. Nuk mund ti harroj momentet e bukura që kaluam së bashku në EURO 2016 ku nuk mungoi asnjë moment në mbështetje të kuqezinjve. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Presidentit Nishani dhe miqve të tij të shumtë. Lamtumirë President Nishani.”

Mesazhi i Ambasadës së SHBA:

Jemi të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. I shprehim familjes së tij ngushëllimet tona të përzemërta.

Haradinajt: Paska ndërruar jetë Presidenti Bujar Nishani. Bashkëndjejmë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe. Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri. U prehtë në paqe!

Ziadin Sela: Sot me dhimbje po ndahemi nga një mik, baba, politikan, atdhedashës, intelektual i ngritur, i sinqertë dhe kombëtar. Ngushllime familjes Nishani, Republikës së Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar!

Vjosa Osmani:Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”

Bamir Topi: “Me trishtim përjetova lajmin e ndarjes nga jeta ne mënyrë te parakohshme te Presidentit Nishani. Përgjatë një njohje e bashkëpunimi gati 30 vjeçar ruaj konsiderata te veçanta te një njeriu te përkushtuar ne te gjitha detyrat qe ka kryer me dinjitet njerezor e profesionalizëm. Me këtë rast të dhimbshëm. I dergoj familjes. Bashkëshortes  e fëmijve ngushëllimet me te sinqerta. U prehtë në paqe. Me respekt Bamir Topi.”

Edi Rama:  U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes.

Gent Sejko : Vdekja e Presidentit Nishani është një humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare, të cilave ai u shërbeu me përkushtim, ndershmëri dhe thjeshtësi prej dekadash. Prehu në paqe President Bujar Nishani!”.

Damian Gjiknuri :Një lajm i dhimbshëm ndarja nga jeta e Presidentit Bujar Nishani! Përtej bindjeve dhe pozicioneve të ndryshme politike, ai ishte një personalitet që diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë! Gjej rastin tu shpreh familjarëve dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta! 🙏

Lindita Nikolla: U prehsh ne paqe President Nishani!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Alibeaj: Lajm i trishtë, për familjen, miqtë dhe kolegët, ai i ndarjes së parakohshme nga jeta e Presidentit Nishani! Kontributet e tij në ndërtimin e shtetit shqiptar shënuan hapa pozitivë në cdo detyrë publike që iu besua e ku shërbeu me dinjitet, si deputet, ministër dhe President. Shqipëria humbi para kohe një njeri të paqtë, një opozitar të vendosur dhe një shtetar të urtë! I qoftë dheu i lehtë e zoti iu dhëntë forcë bashkëshortes, fëmijëve e të afërmëve! Iu prehtë shpirti në parajsë!

Lulzim Basha : Demokratët kanë humbur një  politikan të përkushtuar, kontributi i të cilit do të kujtohet përherë me respekt.“Trishtues lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Presidentit Bujar Nishani.

Albin Kurti : “Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër. Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, shkruan Kurti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi