Ndahet nga jeta Nuri Bylyku, shkroi historinë me klubin bardheblu

Ish-futbollisti i madh dhe kapiten i Tiranës, Nuri Bylyku, është ndarë nga jeta sot në moshën 85-vjeçare.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të një figure të madhe të futbollit shqiptar siç ishte Nuri Bylyku.

“I trishtuar për ndarjen nga jeta të Nuri Bylykut! Mesfushori i shquar mbahet mend nga të gjithë futbolldashësit si një lojtar energjik e luftarak, që drejtoi Tiranën në fushë si kapiten drejt fitimit të disa titujve kampion në vitet 1960-1970″, shprehet Duka.

Duka në mesazhin e tij ngushëllues në rrjetet sociale thekson se, “pas karrierës në futbollin e luajtur Bylyku nuk u shkëput për asnjë çast nga sporti magjik, duke dhënë kontributin e tij si trajner apo në rolet drejtuese në klubin kryeqytetas për vite me radhë”.

“Familja sot është në zi, pasi ka humbur një personalitet me shumë vlera, një ikonë, që shkroi historinë me klubin bardheblu dhe i dha gjithçka futbollit gjatë gjithë jetës së tij. Në emër edhe të komunitetit të futbollit, dua t’i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Bylyku, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm!”, shkruan Duka.

Nuri Bylyku ishte fitues i disa trofeve të rëndësishme në klubin bardheblu dhe pas mbylljes së karrierës ushtroi për disa vite edhe profesionin e trajnerit, duke drejtuar Tiranën drejt disa sukseseve të tjera.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi