Ndahet nga jeta “Nderi i Kombit”, aktori Mirush Kabashi

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

 

Lajmi u konfirmua nga familjarë të tij. Ata shkruan në rrjetet sociale se Kabashi u shua pas mesnate, në orët e para të datës 5 Dhjetor.

 

“Të nderuar miq, kolegë dhe dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se Mirush Kabashi ndërroi jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim”, njoftuan ata.

 

Mirush Kabashi lindi më 17 Prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova.

 

Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.

 

Një pjesë të jetës së tij, Mirush Kabashi ia kushtoi edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

 

Kabashi është vlerësur me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi