Naser Rugova: Jo zgjedhje të parakohshme, por qeveri gjithëpërfshirëse

Pas këtij qorrsokaku politik e institucional, vendi mund të dalë nga kriza vetëm me krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, kështu ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, i cili theksoi se veprimet e fundit të Qeverisë Haradinaj po i rrezikojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, me formimin e qeverisë gjithëpërfshirëse teknike, kryeministri i qeverisë do t’i merrte me përgjegjësi çështjet sfiduese në kontinuitet për zhvillimin e vendit.

“Është propozim i LDK-së që si strategji dalëse të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse pas këtij qorrsokaku politik e institucional që po e degradon shumë procesin integrues të Kosovës. Pas veprimeve të fundit të kësaj Qeverie mund të rrezikohen edhe marrëdhëniet me partnerët strategjik që janë më meritorët për Pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, kryeministri i kësaj qeverie do t’i merrte këto përgjegjësi për dialogun, por edhe për çështjet senzitive që janë sfiduese në muajt në vijim për vendin dhe perspektivën tonë”,tha Rugova, duke shtuar se nëse kjo nuk bëhet, duhet të gjendet një strategji dalëse për zhbllokimin e vendit i cili ka mbetur peng i prosperitetit dhe në proceset integruese të Kosovës.

Po ashtu, Rugova nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për zgjedhje të parakohshme, derisa tha se LDK nuk ka hequr dorë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Ne kërkojmë legjitimitet politik dhe nacional, ne jemi si alternativë e parë se si të shkojmë në zgjedhje, jemi të gatshëm dhe në kohezion. Ne po t’i kishim 61 vota sot do ta rrëzonim Qeverinë Haradinaj. Ne kemi diskutuar, koordinuar me subjektet e tjera politike dhe përpjekjet tona janë ende aktive, dhe nuk kemi hequr dorë për çështjen e numrave dhe rrëzimin e Qeverisë”, u shpreh deputeti Rugova.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi