“Murin Perëndimor të Kudsit SHBA-të e shohin si pjesë të Izraelit”

SHBA-të presin që Muri Perëndimor në Qytetin e Vjetër të Kudsit të jetë pjesë e Izraelit, tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentin amerikan, përderisa zëvendëspresidenti Mike Pence përgatitet për të vizituar rajonin.

“Unë mendoj se ne nuk mund të parashikojmë një skenar nën të cilin Muri Perëndimor nuk do të ishte pjesë e Izraelit. Por, siç tha presidenti, kufijtë specifik të sovranitetit të Izraelit do të jenë pjesë e statusit final të marrëveshjes”, u tha një zyrtar gazetarëve në kushte anonime.

Muri Perëndimor është në Kudsin Lindor që u pushtua nga Izraeli në vitin 1967. Palestinezët janë duke kërkuar Kudsin Lindor si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm, ndërsa SHBA-të kurrë nuk kanë njohur sovranitetin e Izraelit mbi tokat e pushtuara në Luftën Arabo-Izraelite.

Tensionet kanë arritur në një shkallë të lartë pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, në fillim të këtij muaji për të njohur qytetin e kontestuar të Kudsit si kryeqytet të Izraelit, pavarësisht kundërshtimit të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar. Njohja e kryeqytetit vazhdimisht është konsideruar si një çështje e statusit final në bisedimet e paqes Palestinë-Izrael.

Vendimi i Trumpit shkaktoi demonstrata të zemëruara në territoret e pushtuara palestineze. “Ne mendojmë se është e përshtatshme që palestinezët ta shqyrtojnë atë që ka ndodhur. Pasi ata të shqyrtojnë qartë vërejtjet e presidentit, ata do të kuptojnë se asgjë nuk ka ndryshuar në kuptimin e arritjes së një marrëveshjeje historike të paqes. Kështu që, ne mendojmë se egjiptianët dhe të tjerët, natyrisht, mund t’i inkurajojnë ata, por kjo vizitë nuk mund të jetë koha e duhur për të theksuar çdo lloj presioni nga të dyja anët”, tha zyrtari.

Pence pritet të vizitojë Murin Perëndimor javën e ardhshme. Ai, për në rajon do të largohet të martën pas një votimi të shumë pritur mbi reformën e taksave nga Kongresi i SHBA-ve. Zëvendëspresidenti amerikan do të mbërrijë në Egjipt ku, të mërkurën në Kajro, do të takohet me presidentin egjiptian, Abdel-Fattah el-Sissi, para se të udhëtojë për në Izrael.

Pence do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe do të adresohet në Parlamentin e Izraelit. Një takim i planifikuar më herët me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, është anuluar pas deklaratës së presidentit Trump./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi