Ministria e Mbrojtjes: Situatë e qetë nga kushtet e motit, qarkullimi pa probleme


Ministria e Mbrojtjes informoi sot se infrastruktura rrugore vijon të jetë e qarkullueshme pa probleme në të gjitha rrugët nacionale dhe turistike.

Në një deklaratë për mediet, Brisilda Sina, përgjegjëse e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u shpreh se moti në vazhdim do të jenë me kthjellime dhe alternime vranësirash në të gjithë vendin.

“Ditën e sotme do të ketë reshje bore me intensitet të ulët në qarkun e Korçës, ditët në vijim do të ketë edhe në qarqet Kukës dhe Dibër. Si pasojë e temperaturave në vlera negative do të kemi ngrica përgjatë akseve rrugore në relievet malore të vendit. Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile situata ditën e sotme paraqitet e qetë”, tha ajo.

Sina theksoi se lumenjtë janë nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.

“Hidrovorët vijojnë funksionalitetin me kapacitet të plotë. Sasia e prurjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme është 500 m3/s. Në basenin ujëmbledhës Koman janë 250 m3/s dhe Vau i Dejës 40 m3/s. Shkarkimet do të vijojnë me 300 m3/s. Shkarkimet në Digën Ura e Fanit janë 39 m3/s. Në hidrocentralin Ulëz dhe Shkopet shkarkimet janë 220 m3/s”, shtoi Sina.

Ajo theksoi se furnizimi me energji elektrike vijon pa ndërprerje në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të shkëputjeve herë pas here në disa zona rurale të qarqeve, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër. Sipas saj, strukturat e OSHEE-së janë duke punuar në terren pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike në kohë.

“Në qarkun e Shkodrës sipërfaqja e përmbytur mbetet 1400 ha përkatësisht në njësinë administrative Ana e Malit 1300 ha dhe njësinë administrative Dajç 100 ha. Banesa me prezencë uji në oborre janë 15 në fshatin Obot, bashkia Shkodër. Në qarkun e Lezhës vijon të ulet shifra e sipërfaqes së përmbytur në 230 ha, ku 200 ha janë në bashkinë Lezhë dhe 30 ha në bashkinë Kurbin”, shtoi ajo.

Sina informoi se në bashkinë Shkodër, rruga e Obotit vijon me prezencë uji me një nivel 75 cm, për të cilën Forcat e Armatosura po mundësojnë transportin.

“Rruga Shirq-Darragjat ka prezencë uji në rrugë me një nivel 10 cm, është e kalueshme. Në bashkinë Vau Dejës ka problematika në disa nga rrugët rurale, për të cilat janë duke punuar strukturat vendore. Në qarkun Elbasan, janë pastruar akset rrugore Librazhd – Prrenjas dhe Gramsh – Moglicë, ku gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur rënie inertesh. Në qarkun e Vlorës në rrugën Vajzë – Ploç, e cila ka të dëmtuar bazamentin e saj po punohet nga firma kontraktore për riparimin e saj. Në qarkun e Korçës është bërë e mundur hapja e segmentit rrugor Shtyllë – Panarit. Në aksin Bogë – Theth është funksional segmenti Bogë – Qafë Thorë”, shtoi ajo.

Po ashtu, ARRSH ka vijuar punën për pastrimin nga ortekët në segmentin tunelet panoramike.

“Në qarkun e Dibrës në disa segmente trashësia e dëborës varion nga 10-15 cm. Rruga e Dardhës në km e 7 trashësia e dëborës varion nga 5-10 cm. Rruga e Voskopojës trashësia e dëborës varion nga 3 cm – 5 cm”, informoi Sina.

Ajo theksoi se deri me tani janë angazhuar në nivel qendror 68 forca ushtarake me 7 mjete te kalueshmërisë së lartë.

“Ministria Mbrojtjes dhe Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile, do të vijojnë të jenë në gatishmëri dhe do të aktivizojnë kapacitetet në nivel kombëtar për të mbështetur të gjitha kërkesat e pushtetit vendor me qellim përballimin e situatave që mund të krijohen si pasojë e kushteve të motit. U bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të lëvizet me goma dimërore dhe zinxhirë sipas rekomandimeve si dhe të njoftojnë strukturat vendore dhe operacionale në çdo rast nevoje”, deklaroi Sina.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi