Mianmar, ushtria ndërton vendbanime të militarizuara në fshatrat e shkatërruara në Arakan

Organizata Amnesty International ka thënë se forcat e armatosura të Mianmarit në vendet e fshatrave të shkatërruara të muslimanëve në Arakan kanë ndërtuar vendbanime të reja dhe në një shkallë të frikshme kanë militarizuar zonën.

Organizata ndërkombëtare Amnesty International në një raport të titulluar “Rindërtimi i provincës Arakan” thekson se ushtria e Mianmarit ka pushtuar tokën e pakicës muslimane të dëbuar Rohingya.

Raporti është bërë në bazë të imazheve satelitore, deklaratat e dëshmitarëve dhe aktivistëve të organizatave humanitare, ndërsa aty gjithashtu potencohet se në janar ushtria e Mianmarit me buldozerë plotësisht ka shembur fshatrat muslimane dhe filloi ndërtimin e vendbanimeve të reja.

Gjithashtu theksohet se ushtria e Mianmarit ndërton komplekset ushtarake dhe militarizon zonën në të cilën muslimanët e dëbuar duhet të kthehen.

Drejtoresha e shtabit të krizave të Amnesty International, Tirana Hassan ka ngritur alarmin se me militarizimin e fshatrave të Arakanit, fshihen gjurmët e krimeve mbi popullatën e atjeshme muslimane.

“Forcat që kanë kryer krime kundër njerëzimit mbi popullatën e Arakanit, tani po ndërtojnë baza të reja ushtarake atje. Këto imazhe na largojnë nga mundësia e kthimit vullnetar, të sigurtë dhe të ndershëm të refugjatëve të Arakanit”, tha Hassan.

Muslimanët Rohingya të Arakanit për vite janë pakica etnike më e rrezikuar në botë ndërsa nga 25 gushti i vitit të kaluar po përballen me një valë të re të dhunës në rajonin Arakan të Mianmarit.

Nën pretekstin e luftës kundër grupeve militante, ushtria e Mianmarit ka shkatërruar disa qindra fshatra muslimane nga të cilat të paktën 700 mijë banorë u detyruan të ikin në Bangladesh.

Sipas shifrave zyrtare në Arakan në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar kanë jetuar rreth dy milionë muslimanë kurse aktualisht në këtë rajon jetojnë më pak se 300 mijë muslimanë Rohingya.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare shpesh paralajmërojnë se dhuna kundër muslimanëve të Arakanit ka të gjitha elementet e spastrimit etnik, madje edhe gjenocidit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi