Memorandum bashkëpunimi Shqipëri-Kroaci për mbështetjen e sipërmarrësve

Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim për të ndihmuar sipërmarrësit nga të dy vendet dhe për të lehtësuar procedurat e bizneseve.

Memorandumi u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj dhe ministri kroat i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë, Darko Horvat, të cilët mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediat duke u fokusuar në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Ministrja Denaj tha gjatë fjalës së saj se në vitet e fundit janë organizuar takime bilaterale midis disa ministrive nga të dy vendet.

“Shprehemi besimplotë se marrëdhëniet do të kalojnë në një nivel tjetër në aspektin e zhvillimit ekonomik, potencialisht më të lartë sesa i sotmi. Forumi ekonomik dhe forumet e tjera ekonomike në të ardhmen janë në mbështetje të këtyre objektivave. Qeveria shqiptare me politikat mbështetëse ndaj biznesit kërkon të ndihmojë në zhvillimet infrastrukturore. Shprehemi në mbështetje të projekteve të nisura tashmë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Denaj.

Denaj theksoi se memorandumi i bashkëpunimit mes dy ministrive ka për qëllim për të mbështetur sipërmarrësit, për të lehtësuar procedurat dhe për të krijuar një klimë më të mirë në ndihmë të biznesit.

Ministri kroat tha se e konsideron shumë të frytshëm forumin e biznesit mes dy vendeve që u mbajt në Tiranë me pjesëmarrjen e dhjetëra kompanive.

“Marrëdhëniet mes Qeverisë së Kroacisë dhe Qeverisë së Shqipërisë, nuk kanë çështje të hapura dhe kjo është një tregues i mirë i partneritetit tonë afatgjatë. Kemi arritur në konkluzionin që të dy ekonomitë tona kanë të njëjtat probleme. Besueshmëria midis dy shteteve tona dhe dy popujve tanë ndër vite është në nivelin e duhur, por këtë nivel duam ta rrisim edhe në aspektin ekonomik”, u shpreh Horvat.

Duke folur për mbështetjen e Kroacisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë ai tha se “Dëshira ime për Republikën e Shqipërisë është që sa më shpejt të hapë kapitujt për bisedime me Bashkimin Evropian dhe që në një të ardhme sa më të afërt të jetë anëtare e barabartë me të gjithë shtetet e tjera të BE-së. Në këtë frymë bashkëpunimi, Qeveria e Republikës së Kroacisë është e gatshme të japë çdo përkrahje administrative dhe teknike, në përmbushjen e çdo kriteri për arritjen e këtij qëllimi”.

Ministri kroat vizitoi Shqipërinë në kuadër të forumit të biznesit mes dy vendeve që u mbajt në Tiranë, me pjesëmarrjen e dhjetëra kompanive shqiptare dhe kroate, me fokus zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi