Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 101 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, zgjodhi qeverinë e re teknike, e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill në bazë të marrëveshjes së partive politike, ndërsa detyrën e kryeministrit në qeverinë e re kalimtare do ta ushtrojë ministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski para deputetëve vuri në dukje se vendi është në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme në të cilën pritet funksionim i qetë i të gjitha institucioneve.
“Kjo është një kohë kur është e nevojshme të organizohen zgjedhje të ndershme dhe demokratike, por edhe për të përfunduar aktivitetet e nevojshme për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Aleancën Veriatlantike dhe për të ndjekur vendimet e Këshillit Evropian në lidhje me fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, tha Spasovski, duke shtuar se drejtimi i qeverisë teknike në këtë periudhë paraqet një sfidë të fortë për të, por edhe një përgjegjësi të madhe personale, profesionale dhe politike.
Sipas programit të punës që Spasovski e njoftoi para ligjvënësve, qeveria teknike në periudhën deri në zgjedhje si prioritete strategjike e ka theksuar organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të drejta, të lira dhe demokratike, anëtarësimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, fillimin dhe zhvillimin e suksesshëm të bisedimeve të anëtrësimit me BE-në dhe zhvillimin e ekonomisë.
Ndryshe, më herët gjatë ditës, presidenti Stevo Pendarovski ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë teknike Spasovskit, pasi parlamenti konstatoi dorëheqjen e kryeministrit të deritanishëm, Zoran Zaev, e cila u parashtrua në parlament bazuar në marrëveshjen midis partive politike në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Qeveria teknike do të përbëhet nga ministra dhe zëvendësministra të pozitës dhe opozitës. Dy poste kyçe, respektivisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale, do të udhëhiqen nga kuadër të opozitës VMRO-DPMNE.
Zaev dorëheqjen e njoftoi pasi Komisioni i Bashkimit Evropian (BE) nuk pranoi fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit të tij në BE, me çka partitë politike u pajtuan për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, organizimin e të cilave do ta kryesojë një qeveri teknike.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 11 dhjetor të vitit 2016 dhe u thirrën në kuadër të një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja, në mënyrë që t’u jepej fund protestave kundër qeverisë së atëhershme të VMRO-DPMNE-së, të kryesuar nga kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut mbahen çdo katër vjet. Nëse kryeministri i deritanishëm nuk do të jepte dorëhiqje, zgjedhjet e rregullta do të mbaheshin në muajin tetor ose më së voni dhjetor.