Mbikalimi i 180 mijë eurove shërben vetëm si “dekor”, askush nuk e shfrytëzon!

Ndërtimi i mbikalimit tek vendi i ashtuquajtur “Rrethi i flamurit”, në kryeqytet atë kohë i kushtoi Komunës së Prishtinës, hiq më pak se 180 mijë euro, por tash e pesë vite ai ka mbetur nën mëshirën e kohës dhe nën hijen e vendkalimit të shenjëzuar në rrugën që lidh hyrje daljet për në kryeqytet.

Ndonëse ishte ndërtuar për të evituar rrezikun e këmbësorëve që trupojnë andej këndej rrugës, ai nuk po shfrytëzohet nga qytetarët me arsyetimin se është më lehtë të lëvizësh dhe të kalosh në vendin e shenjëzuar se sa të ngjiten e të zbresin gjithë atyre shkallëve që ka mbikalimi.

Askush nga kalimtarët nuk parasheh rrezikun që mund ta kenë derisa kalon rrugën përgjatë vijave të shenjëzimit në vendkalimin për këmbësor. Secili kalimtarë praktikon rrugën më të lehtë e më të shpejtë për të arritur në cak, pa menduar rrezikun që ka kur kalon rrugën e mbytur nga automjetet, për të kursyer kohën dhe lodhjen që mund ta kenë derisa do të kalonin shkallët e mbikalimit.

Se pse nuk po frekuentohet ky mbikalim nga qytetarët e kësaj pjesë të qytetit, ata thonë për KosovaPost se shmangia e shfrytëzimit të mbikalimit ndodhë për shkak se nuk konsiderohet të jetë i përshtatshëm, dhe se i humb shumë kohë.

“Nuk e shfrytëzoj për shkak se është një punë ma e lodhshme për të kaluar lartë, derisa t’i kaloj shkallët dhe në anën tjetër për me i zbritë shkallët. E përdori kalimin këtu sepse është më i shkurtë. Jam e i rrezikuar por kam kujdes më të madh dhe kaloj kur ka një grup më të madh njerëzish”,

“ Nuk e përdori për shkak të shkallëve se shumë për të hypur lartë, çështja e kohës e gjëra të tjera”.

“Problem se janë shkallët edhe varët prej kohës se qysh jemi më kohë. Ndërsa tek vendkalimi i këmbësorëve kalojmë se vozitësit kanë respekt dhe nuk kemi problem”.

“Jam e sëmurë prej reumës nuk mundem me u ngjitë lartë. Ndihemi të rrezikuar por duhet të kalojmë”.

“Është bërë objekti tash e sa vjet dhe rrinë i ndotur askush nuk merr masa për të, e kanë lënë pasdore. Askush nuk shkon në këmbë për çka është i destinuar. Kolonat e automjeteve ndalen disa minuta për të pritur që qytetarët të kalojnë këmbësorët, kjo është total papërgjegjësi e komunës së pari, ajo duhet të marrë përgjegjësi dhe këto ndalesa duhet të bëhen sikur në botën e civilizuar”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi