Maqedonia e Veriut zyrtarisht anëtare e NATO-s, të hënën ngritet flamuri i vendit në selinë në Bruksel

Maqedonia e Veriut është bërë anëtarja e 30-të e NATO-s pas deponimit të instrumentit të anëtarësimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të SHBA-së në Washington

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të NATO-s thuhet se aleatët nënshkruan Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në shkurt të vitit 2019, pas çka 29 parlamentet e vendeve anëtare votuan ratifikimin e anëtarësimit të vendit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nga Brukseli tha se Maqedonia e Veriut bëhet anëtarja e 30-të e një familjeje prej pothuajse një miliardë njerëzve.

“Maqedonia e Veriut tani është pjesë e familjes së NATO-s, një familje prej 30 kombeve dhe pothuajse një miliardë njerëzve. Një familje që bazohet në sigurinë se pa marrë parasysh cilat janë sfidat me të cilat përballemi, të gjithë jemi më të fuqishëm dhe më të sigurt së bashku”, tha Stoltenberg.

Në njoftimin e NATO-s thuhet se Maqedonia e Veriut është një vend i cili qëmoti ka kontribuuar në sigurinë euro-atlantike, duke përfshirë pjesëmarrjen në misionet e udhëhequra nga NATO në Afganistan dhe Kosovë.

Ceremonia për ngritjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet të hënën në Selinë e NATO-s, në prani të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Stuart Peach, si dhe të ngarkuarit me punë të Delegacionit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Zoran Todorov.

Flamuri i Maqedonisë së Veriut do të ngritet njëkohësisht edhe në Operacionet e Komandës Aleate në Mons të Belgjikës, si dhe në Komandës Aleate të Transformimin në Norfolk të SHBA-ve.

Me rastin e deponimit të instrumentit të anëtarësimit, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, në llogarinë e tij në twitter shkroi se “në shumë mënyra kjo është një javë historike, pasi vendi i tij sot mori meritën e plotë në familjen euro-atlantike”.

“Duke filluar nga sot, ne jemi anëtar krenar i NATO-s, që qëndron krah për krah me aleatët dhe miqtë tanë”, shkroi Dimitrov.

Protokolli i pranimit midis NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut u nënshkrua më 6 shkurt të vitit 2019. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin e ratifikimit të Traktatit Veri-Atlantik në një seancë solemne më 11 shkurt të këtij viti.

Më 12 korrik të vitit 2018 në Samitin e NATO-s në Bruksel, Maqedonia e Veriut mori thirrjen për t’u bërë anëtare e Aleancës, por pas nënshkrimit të protokollit të pranimit midis NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut shkurtin e vitit të kaluar, procesi i ratifikimit të këtij protokolli filloi të nënshkruhet në parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës dhe u finalizua më 17 mars me ratifikimin e protokollit në parlamentin e Spanjës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi