Mandati i Xhaçkës, Shehaj: Gjykata Kushtetuese të vendosë drejtësi

Deputetët e Partisë Demokratike, Agron Shehaj dhe Oerd Bylykbashi kërkuan sot nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë drejtësi në lidhje me mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

Në një prononcim për mediet, pas mbarimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, deputeti i PD-së Agron Shehaj tha se, kjo gjykatë duhet të vendosë drejtësi e të marrë vendimin e duhur.

“Është shumë e qartë, zonja Xhaçka, ministre e Jashtme ka përfituar nga prona publike. E ka bërë këtë duke përdorur bashkëshortin dhe kunatën. Sot avokati i Xhaçkës, pranoi vetë që shtetasja e huaj që ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur bashkëshortin e Xhaçkës, është kunata e zonjës Xhaçka. Kështu që vendimi në gjykimin tonë është shumë i thjeshtë. Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një precedent, standard, atë që të heqë mandatin e deputetëve nëse këta përfitojnë nga prona publike. Jemi të bindur që ka vetëm një mundësi përballë këtij abuzimi dhe akti korruptiv, përndryshe do të ishte realisht një dëm shumë i madh për besueshmërinë e kësaj gjykate që me vendimin e saj do ta nxirrte të larë deputeten Xhaçka”, theksoi Shehaj.

I pyetur nëse ka një pretendim nga pala mbrojtëse dhe Kuvendi, që është tejkaluar afati 3 mujor për shqyrtimin, Shehaj tha se, “nëse vendimi dhe nëse Gjykata do të jetë e drejtë, nuk ka asnjë arsye dhe i ka të gjitha provat për të marrë vendimin e duhur. Nëse ka një vendim tjetër që është marrë, ka justifikime, pretekste sa të duam dhe sa të duan për ta marrë atë vendim”.

Ndërsa Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh se, asnjë ministër apo deputet nuk mund të përfitojë nga pasuria e shtetit. Ai tha se, Gjykata Kushtetuese ka fjalën e fundit.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka një dispozitë shumë të qartë, nenin 70 pika 3 në mbrojtje të interesit publik. Askush, asnjë prej deputetëve nuk mundet që të ushtrojë një aktivitet fitimprurës me pasurinë e shtetit, apo të përfitojë nga pasuria e shtetit. Dhe sanksioni për këtë është humbja e mandatit të deputetit”, tha ai.

“Gjykata Kushtetuese tashmë e ka vendosur standardin për përfitime më të vogla se kaq. Dy deputetë të Republikës së Shqipërisë në të shkuarën kanë humbur mandatin. E themi dhe njëherë, është i vetmi sanksion që ka Kushtetuta në raport me dispozitat e tjera, dhe është një sanksion dhe dispozitë e rrallë në kushtetutat e ndryshme”, theksoi Bylykbashi.

Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese në muajin nëntor 2022 kërkesën për kundërshtimin e vendimit të Kuvendit si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e deputetëve të PD-së për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Trupa gjykuese u njoh me pretendimet e palëve të përfshira në proces për rreth tre orë e gjysmë, dhe në përfundim të seancës u tërhoq për vendim, i cili pritet të shpallet brenda 30 ditëve të ardhshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi