Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se financimi për arsimin në tërësi, përfshirë edhe arsimin profesional, Akademinë e Sigurisë, atë Ushtarake, shkollën e Magjistraturës, si dhe financimin nga pushteti vendor llogaritet 77.9 miliardë lekë.
Manastirliu paraqiti në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat projektbuxhetin për vitin 2024.
Sipas Manastirliut, përmes këtij financimi mbështetet politika e qeverisë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.
“Ky buxhet mbështet reformën tonë dyvjeçare për rritjen e pagave për mësuesit. Sigurohet rritje e konsiderueshme e pagave të mësuesve. Rritja e pagave për vitin 2023 ishte 6 % për mësuesit. Për vitin 2024 do të financohen 4 miliardë lekë vetëm për rritjen e pagave në sistemin parauniversitar”, u shpreh ministrja.
Nga ana tjetër, vijoi ajo, do të investohet edhe në infrastrukturën arsimore dhe sportive, do të mbështetet dixhitalizimi për rritjen e aftësive dixhitale të fëmijëve në sistemin parauniversitar, si dhe do të financohen programet për ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor.
Në total, buxheti për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit llogaritet 56.2 mliardë lekë, rreth 5 miliardë lekë më tepër së në 2023“, tha Manastirliu.
Sipas ministres Manastirliu investimet kapitale në këtë sektor për këtë vit llogariten 5.6 miliardë lekë, ose 1.1 miliardë lekë më tepër se në 2023.
“Do të vijojë financimi i infrastrukturës në arsimin bazë, të mesëm dhe atë të lartë, si dhe financimi për kërkimin shkencor. Rreth 69 % e fondit të investimit shkon për investime në arsimin bazë dhe atë të mesëm dhe 30 % shkon për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. 576 milionë lekë shkojnë për zhvillimin e sportit”, bëri të ditur ministrja.