Loja me liberalizimin e vizave dhe pasiguria e këtij procesi

Liberalizimi i vizave ishte njëra ndër arsyet që u rrëzua “Qeveria Mustafa”, mbi faktin opozitar se ky proces kishte ngecur për shkak të mosratifikimit të Demarkacionit. Qëndrimit opozitar iu bashkua edhe asokohe partneri i koalicionit, PDK, për t’i siguruar votat e mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë.

Vendi kaloi nëpër zgjedhje të parakohshme parlamentare, LDK mbeti në opozitë, kurse PDK gjeti partner koalicioni dhe arriti sërish të jetë në pushtet.

Sërish nëpër tym e gaz lotsjellës, Marrëveshja për Demarkacionin kaloi. Kësaj i parapriu një marrëveshje me Malin e Zi, me të cilin Kosova e ka kontestin territorial. Ndër tjera, në atë marrëveshje, që u nënshkrua në nivel presidentësh, thuhej se nëse ka gabime në demarkimin e kufirit, atëherë mund të bëhen korrigjime.

Kosova e plotësoi edhe këtë kushte, për të cilin vazhdimisht mëtohej se ishte kushti thuajse i fundit për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, vendi po kalon nëpër një situatë të paqartë rreth këtij procesi.

Liderët shtetërorë e politikë vazhdimisht thonë se qytetarët e Kosovës deri në fund të këtij viti do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Madje janë të bindur se rekomandimi për liberalizim vizash do të ndodhë në muajin qershor.

Por, derisa vendorët e thonë këtë, janë zyrtarët e Bashkimit Evropian që nuk japin data për këtë proces.

Ditë më parë, përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovës, Nataliya Apostolova, pikërisht në Ditën e Evropës të cilën po e festonte Kosova, nuk dha datë se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave. Në anën tjetër, ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, shprehu bindjen e saj se kjo do të ndodhë brenda këtij viti.

Edhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, u ka premtuar qytetarëve të Kosovës se do të bëjë gjithçka që ata të lëvizin pa viza. Por, ai ka thënë se kjo mund të mos bëhet këtë vit.

Wielandi ka folur edhe për vendet tjera që synojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk do ta pranojnë asnjë vend, i cili ka probleme të hapura me fqinjët.

Për të arritur deri te liberalizimi i vizave, Kosova e ka edhe një kusht tjetër – luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos nivelin e lartë.

Në këtë drejtim, organet gjyqësore kanë ndërmarrë disa hapa, duke ngritur aktakuza ndaj personave të caktuar.

Shoqëria civile kishte kritika ndaj këtij procesi, duke thënë se në disa raste ato po bëhen sa për sy e faqe, duke mos u shkuar deri në fund rasteve./Insajderi.com

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi