
Andi Lila është i bindur se Partizani do të lërë pikë rrugës dhe duke filluar nga Tirana, e skuadrat e tjera, të gjithë do të kenë mundësinë të arrinin kryesuesit. Në “Sport News Plus”, futbollisti i Tiranës shpjegoi se ky besim vinte nga fakti se trajneri i të kuqve, Franko Lerda, ishte tip konfliktual.
“Në ndeshjen e sotme bëri detyrën kundër një skuadre që është mes tabelës e poshtë, skuadër simpatike por me problemet e saj në këtë periudhë. Skuadrat e tjera si Tirana, Kukësi e Teuta i favorizon shumë ky sezon se Partizani është kampion në fuqi dhe do të ruajë ritmin. Trajneri i Partizanit është problematik dhe lojtarët nuk ndihen mirë kur ke trajnerin konfliktual. Duke parë Asanin si lojtari më i mirë i Superiores, sot është në stol. Ai kishte konflikt me Trashin. Nuk i bën mirë ekipit.
Jam i sigurt se Partizani do të lërë pikë rrugës. Duke folur me lojtarët, vitin e kaluar ishin grup me Gegën, sot nëse nuk je grup i fortë, është vështirë të ecësh përpara. Nuk them se ka përçarje, por nga jashtë mendoj se ka probleme. Mendoj se rrugës do ketë probleme nga të cilat do të fitojnë ekipet e tjera”, tha Lila.