Ligji i Luftës dhe “Deti”, Kotzias-Bushati diskutojnë temat e nxehta

Vijojnë bisedimet tashmë prej më shumë se 24 orë në ishullin e Kretës, ku ministrat Bushati dhe ai grek Kotzias, së bashku me stafet e tyre të afërta janë duke diskutuar të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve.

Nëse një ditë më parë bisedimet ishin të fokusuara më së shumti tek Marrëveshja e Detit, dita e dytë ka nisur me Ligjin e Luftës, i cili mban të sekuestruara pronat e shqiptarëve në Greqi.

Por bashkëlidhur me këtë temë është dhe ajo e varrezave të ushtarëve grekë, si tema të shportës së “çështjeve historike”.

Top Channel ka mësuar se të dy delegacionet janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë juridike dhe praktike për heqjen e këtij ligji, i cili vijon të mbetet në fuqi që pas Luftës së Dytë Botërore.

Një tjetër temë e cila mësohet se ka pasur avancime dhe për të cilën është gjetur një zgjidhje është ajo e vulave apostile. Greqia ka pranuar heqjen e kësaj burokracie, sipas të cilës, çdo qytetar shqiptar që jeton në Greqi duhet të legalizonte çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Kjo njohje nënkupton heqjen e kostove 27-vjeçare me të cilat u është dashur të përballen mbi gjysmë milion emigrantë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj.

Po ashtu, çështje të tjera të karakterit konsullor, të cilat sjellin të tjera lehtësira për emigrantët shqiptarë, janë shumë pranë gjetjes së zgjidhjes. Bisedimet, edhe pse ishin parashikuar të mbylleshin pasditen e së shtunës, janë shtyrë të paktën deri të dielën.

Ndërkohë, në një lidhje direkte me studion e lajmeve të Top Channel, korrespondenti Artur Bibe ka bërë këtë raportim.

Top Channel: Artur, cilat janë çështjet që janë zgjidhur?

Artur Bibe: Ka dakordësi për ato të karakterit etnik, si pulla apostile, ose vulosja dhe ligjërimi i dokumentave të shqiptarëve; diplomat dhe ajo e varrezave që konsiderohet nga pala greke si shumë e rëndësishme. Por më e rëndësishme është që palët po dialogojnë.

Top Channel: Po për çështjen e detit, a është prezantuar nga pala shqiptare një hartë e Shqipërisë si ajo e treguar nga Gjykata Kushtetuese?

Artur Bibe: Ka dakordësi edhe për këtë, dakordësi që konsiston pikërisht në hartë. Pala greke ka pranuar kontestimin tonë dhe duket se deri në darkë do të shqyrtojnë një marrëveshje të re. E sigurt është se Shqipëria nuk do të humbasë asnjë cm. det.

Top Channel: Po temat e tjera?

Artur Bibe: Po i jepet dora e fundit ligjit të luftës. Kërkohen klauzola juridike për ta shfuqizuar atë. Ndërsa çështja e minoriteteve po diskutohet ende dhe në darkë pritet të arrihet një përfundim.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi