Lekaj ngrit shqetësimin për pengesat që po i shkakton Serbia në kufi

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka deklaruar se marrëdhëniet tregtare dhe fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit lehtësojnë rrugën e vendeve tona drejt integrimit europian.

Ai këto komente i bëri në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për TENT-T në Lubjanë të Sllovenisë, i cili po mbahet nën përkujdesjen e Komisionit Europian, ku është diskutuar për pengesat dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet vendeve sa i përket sigurisë në rrugë dhe kalimit kufitar.

Ministri Lekaj theksoi problemet që po i hasin qytetarët e Kosovës gjatë kalimit të kufirit me Serbinë për shkak të pengesave nga autoritetet serbe edhe përkundër nënshkrimit të marrëveshjeve në procesin e dialogut për lehtësim të kalimit të kufirit ndërmjet dy vendeve tona.

Ai ka thënë se implementimi i masave të reformës së lidhjeve që synojnë plotësimin e  legjislacionit të infrastrukturës ndihmojnë në reformimin e sistemeve të transportit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përputhje me standardet e transportit të BE-së.

“Do të ishte mirë aplikimi i sistemit me një ndalesë, i cili përfshin kontrolle të përbashkëta nga ana e policisë kufitare dhe bashkëpunimit të të gjitha agjencive të tjera kufitare. Shërbimi Elektronik i Menaxhimit të Radhës ka qëllim primar reduktimin e kohës së pritjes në kufi, i cili është dëshmuar i suksesshëm për menaxhimin dhe zvogëlimin e radhëve në kufijtë e jashtëm të BE me shtetet e lindjes”, tha Lekaj.

Ndryshe, në konkluzionet e këtij takimi janë dakorduar dy deklaratat që kanë të bëjnë me sigurinë në rrugë dhe kalimin kufitar, ku Republika e Kosovës njihet si vend i barabartë me vendet e tjera në kuadër të përgjegjësive që shprehin këto dy deklarata./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi