Largimi nga futbolli, Messi: Dita do të vijë, por s’e di se kur

Admiruesit e futbollit urojnë një jetëgjatësi të karrierës së Lionel Messit, për të shijuar sa më shumë magjitë e tij në fushën e lojës.

Vet sulmuesi i Barcelonës dhe i përfaqësueses argjentinase ka pranuar se nuk ka një datë për tërheqjen e tij nga futbolli, pasi as ai vet nuk e di se kur mund të ndodhë diçka e tillë.

“Edhe për sa kohë do të luaj futboll? Është një pyetje shumë e komplikuar, pasi as vet nuk e di”, tha Messi në një intervistë dhënë për faqen e internetit të Federatës Spanjolle të Futbollit përpara dy javëve, në prag të sfidës miqësore mes Spanjës dhe Argjentinës.

“Shpresoj që të luaj ende edhe për shumë kohë. Dëshira dhe iluzionet e mia për trofe rriten dita-ditës. Kam ende objektiva për të arritur në mënyrë kolektive, më shumë trofe e më shumë gola. Tani jam mirë, por nuk e di se kur do ta lë futbollin. Ndoshta është shpejt për ta menduar këtë, por di që ai moment do të vijë një ditë”, deklaroi më tej “pleshti”.

Pas më shumë se dy muajsh fillon Botërori i Rusisë dhe Messi e Argjentina e tij do të kërkojnë që të përsërisin atë që bënë në vitin 2014, duke arritur në finale, e pse jo ta fitojnë atë. Por, për Messin, skuadra e tij duhet të punojë shumë për të bërë realitet këtë objektiv.

“Kemi luajtur tri finale, atë të Kupës së Botës në Brazil dhe në dy të Kupave të Amerikës, – vijoi Messi. – Pritshmëritë janë shumë të mëdha. Sigurisht që duam të shpallemi kampionë dhe mënyra e vetme është që të luftojmë shumë në çdo ndeshje të turneut, deri në arritjen e finales”./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi