Në Pallatin e Kongreseve u mbajtën sot homazhet zyrtare në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe lider historik i Partisë Socialiste, i cili u nda nga jeta të premten, më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.
Në ceremoninë shtetërore morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, familjarë, miq, bashkëpunëtorë të afërt dhe qytetarë të shumtë.

Homazheve iu bashkuan gjithashtu edhe figura të rëndësishme nga rajoni, mes tyre Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministra dhe deputetë të kabinetit të tij. Pas homazheve, Kurti e Ali Ahmeti u ndalën tek libri i shënimeve për të lënë kujtimin e tyre të fundit në nderim të ish-Kryeministrit Fatos Nano.
Gjithashtu morën pjesë zëvendëskryeministri i Malit të Zi si dhe kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI-së) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare. Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.
Pesë herë Kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i së majtës shqiptare, vizionar për Shqipërinë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.


