Kumbaro: Ekonomi qarkulluese nga kompostimi i mbetjeve të gjelbra në Belsh

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro inspektoi sot qendrën e re të kompostimit në Belsh, ku falë përpunimit të mbetjeve të gjelbra që gjenerohen nga serat dhe pemët frutore në territorin e bashkisë pritet të prodhohen rreth 300 ton komposto organike në vit.

Në një prononcim për mediat, Kumbaro tha se, kjo do të krijojë të ardhura për bashkinë dhe njëkohësisht do të ulë ndjeshëm volumin e mbetjeve që depozitohen në pikën fundore.

“Qendra e kompostimit në Cërrik rezultoi jo vetëm një model i parë i suksesshëm, por edhe një model që nxiti bashkitë e tjera. Mbas Roskovecit, Belshi është stacioni i tretë që i shtohet këtij projekti të përbashkët që ne kemi me GIZ. Ajo që është pozitive është se ka edhe bashki të tjera në radhë që po presin, sidomos në bashki të tilla ku hapësira rurale është më e madhe se ajo urbane dhe aktiviteti bujqësor prodhon dhe gjeneron sasi të mëdha të mbetjeve të gjelbra”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi se, “do të ishte mungesë menaxhimi nëse ato hidhen në kanale”.

“Mund t’i riciklojmë duke i përdorur si pleh organik për bujqësinë apo të shiten nga bashkia duke sjellë të ardhura”, theksoi Kumbaro.

“I njëjti parim duhet të jetë edhe me letrën, plastikën, qelqin në vazhdim. Besoj se kemi hyrë pas investimeve të mëdha, në një tjetër logjikë të trajtimit të mbetjeve që është ajo e ekonomisë qarkulluese”, shtoi Kumbaro.

Sipas saj, “kjo është një logjikë që shkon zinxhir nga riciklimi te reduktimi i volumit total të mbetjeve”.

“Pjesa më e rëndësishme e projektit është ajo e edukimit të komunitetit. Pa pjesëmarrjen e komunitetit ky projekt nuk mund të jetë i suksesshëm. E kemi modelin që kjo ka filluar të prodhojë të ardhura për disa bashki. Në bashkinë e Cërrikut, por edhe në Himarë e Sarandë, ku nuk kanë qendra kompostimi, por kanë arritur të krijojnë volum të mjaftueshëm për të bërë të interesuar bizneset e riciklimit”, tha Kumbaro.

Sipas kryetarit të bashkisë së Belshit, Arif Tafani çdo vit bashkia dorëzon tek inceneratori 2900 tonë mbetje, nga të cilat 20-30% e tyre janë mbetje të gjelbra, të cilat nga ky muaj do të përdoren për pleh organik. Kjo, tha ai, do të ndikojë ndjeshëm në uljen e volumit të mbetjeve tek inceneratori.

Tafani tha se, mbetjet vijnë nga krasitja e ullinjve. “Bashkia e Belshit numëron mbi 700 mijë rrënjë ullinj. Belshi prodhon po ashtu mbi 1500 ton rigon të thatë, mbetje që do  përdoren për kompostim”, shtoi ai.

Ndërsa drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri u shpreh se, ky është një model që mund ta marrin shumë bashki të ngjashme bujqësore, pasi  nxirren të ardhura dhe janë modele të qëndrueshme zhvillimi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi