Kryemadhi: Vendimi i BE-së për negociatat, dështim që Rama e shet për arritje

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi doli në nëj komunikim për mediat, pas vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara. Ajo u ndal te shtyrja për vitin e ardhshëm, e nisjes së negociatave për anëtarësimin në BE, vendim të cilin e konsideroi si një refuzim ndaj kryeministrit Rama.

“Vendimi më i fundit në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ndryshoi tërësisht agjendën e delegacionit tonë në BE. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por tani është e qartë që aktrimi dhe mashtrimet e Edi Ramës nuk impresionojnë më ndërkombëtarët”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së e cilësoi si një shans të humbur, mundësinë e hapjes së negociatave dhe për këtë bëri fajtor kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.

“Hapja e procesit të negociatave ishte një mundësi jetike për Shqipërinë, që të zhvillohej jo vetëm jeta politike, por edhe ajo ekonomike e vendit. Gjithsesi, problemet që ka qeveria me zbatimin e reformës në drejtësi, arrestimin e “peshqve të mëdhenj” që janë marrë në mbrojtje nga Rama, por edhe lidhjet me krimin e organizuar, bënë që tashmë beteja për hapjen e negociatave të fillojë nga e para vitin e ardhshëm dhe tani me më tepër kushte”, tha kryetarja e LSI-së.

Monika Kryemadhi nuk kurseu as ironitë me sjelljen e qeverisë shqiptare, që sipas saj, “po mundohet të shesë dështimin për arritje të madhe”.

“Në Vetting e gjyqësorit kanë kaluar vetëm 25 anëtarë të sistemit dhe me këtë ritëm, do përfundojë pas 16 vitesh, ndërsa aktualisht Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, janë të bllokuara. Vetëm para pak ditësh u kapën miliona euro, para të drogës dhe krimit të organizuar, që po futeshin ilegalisht në Shqipëri. Dhe tani nuk do habitesha, nëse qeveria do të organizonte edhe ndonjë koncert, për të festuar dështimin e hapjes së negociatave”, tha Monika Kryemadhi.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi