Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u shpreh sot se do të dorëzojë në SPAK një kallëzim për inceneratorin e Tiranës.
Në një konferencë për shtyp, Kryemadhi u shpreh se, “shkeljet ligjore për miratimin e kontratës koncesionare i kemi faktuar kohë më parë, ndërsa tani po vazhdojmë të dëshmojmë se si po zbatohet kjo kontratë koncesionare”.
Sipas saj, “fokusi është vendosur tek zbatimi i kontratës”.
“Nëse Partia e Lirisë do të kishte qenë pjesë e Komisionit Hetimor Parlamentar, ky produkt që vjen sot, do të vinte në një kohë më të shpejtë dhe vetë rezultati që prodhoi ai komision hetimor, do të ishte tërësisht ndryshe”, tha ajo.
Kryemadhi nënvizoi se, “kontrata e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës funksionon vetëm për të paguar koncesionarin ndërkohë, që nuk ka asnjë përmbushje detyrimi nga koncesionari”.
“Qeveria nuk ka ndaluar pagesat, ndërsa ka qenë në dijeni për mosfunksionimin e NJZP nga raporti i supervizorit të punimeve”, tha ajo.
Gjithashtu, Kryemadhi shtoi se, “pas firmosjes së kontratës së inceneratorit të Tiranës, Bashkia Tiranë ndërmori veprime për të detyruar të gjithë ndërtuesit në Tiranë, që dherat e prodhuara nga ndërtimi, të ishin të detyruar t’i çonin në inceneratorin e Tiranës, kundrejt pagesës”.
Kryemadhi u shpreh se, “këtë hetim mund ta kishin bërë shumë mirë dhe SPAK, Komisioni Hetimor Parlamentar, Kontrolli i Lartë i Shtetit, media, apo çdo institucion i brendëshm apo i huaj, qeveritar apo organizatë jo fitimprurëse, që ka objekt të veprimtarisë ka luftën kundër korrupsionit dhe transparencën”.
“15 Hektarë është harta e depozitimeve jashtë territorit të landifillit; pra inceneratori ka marrë aq shumë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, sa vetëm me depozitimet jashtë kufirit kanë mbushur një sipërfaqe me 15 Hektarë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, shtoi ajo, “supervizori i punimeve ka bërë me dije se deri në datë 31 Mars 2023, Projekti i Inceneratorit të Tiranës është në total 1.75 vite me vonesë”.
“Bazuar në këtë arsyetim rezulton se ndodhemi në kushtet e nenit 36 të ligjit 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, pasi koncesionari nuk ka përmbushur kushtet thelbësore të kontratës së koncesionit, e për pasoja kjo kontratë duhet të zgjidhet në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktues”, theksoi ajo.
“Ne kemi votuar reformën në drejtësi me 140 vota dhe kryetari i Parlamentit të asaj kohe, Ilir Meta ka qenë hallka kryesore që çoi votimin e kësaj reforme në unanimitet të plotë. Sot sistemi drejtësisë është komplet nën kontroll qeveritar”, tha Kryemadhi më tej.


