Një armëpushim në Libi është kusht i domosdoshëm për dialogun politik, tha ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
Ndërsa tensionet po rriten në Mesdheun Lindor për shkak të aktiviteteve të kërkimit të hidrokarbureve dhe çështjes së Libisë, ministri i Jashtëm italian tha në një intervistë për Anadolu Agency (AA) vlerësoi qasjen e vendit të tij mbi zhvillimet e fundit në rajon përpara bisedimeve në Berlin lidhur me Libinë që do të mbahen të dielën.
Në lidhje me aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, Di Maio tha se këto aktivitete sollën skenarë të rinj për sigurinë energjetike të rajonit, veçanërisht për Italinë dhe BE-në.
Ai tha se duhet të ketë një frymë bashkëpunimi për t’i bërë burimet e energjisë në Mesdhe një faktor zhvillimi dhe rritjeje për të gjitha vendet e rajonit.
Di Maio theksoi rëndësinë e Konferencës së Berlinit për të zgjidhur çështjen e Libisë dhe për të sjellë një ndjenjë paqeje në rajon.
Duke nënvizuar rëndësinë e armëpushimit në Libi, Di Maio tha se ky është një hap pozitiv, por është i brishtë.
“Megjithatë, armëpushimi është kusht i domosdoshëm për dialog politik. Prandaj, propozimi turko-rus, i cili ndaloi armiqësitë midis grupeve në rajon për një kohë, pavarësisht se ishte i përkohshëm, është natyrisht i mirëpritur. Armëpushimi është hapi i parë dhe i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, tha ai.
Lidhur me negociatat për armëpushimin në Moskë, Di Maio tha se qeveria italiane ka parë se kush e nënshkroi marrëveshjen dhe kush jo.
“Ne kemi vërejtur nënshkrimet e Fayez al-Sarraj, kreut të qeverisë së njohur nga OKB në Libi, dhe kryetarit të Këshillit të Lartë të Shtetit, Khalid al-Mishri”, tha Di Maio.
“Por, refuzimi i Haftarit mbi marrëveshjen tregoi se sa i ndërlikuar është ekuacioni i Libisë”, u shpreh kryediplomati italian, duke iu referuar gjeneralit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar.
Di Maio shtoi gjithashtu se shpreson që Haftar do të konfirmojë angazhimin e tij për armëpushim me një ndjenjë të përgjegjësisë.
Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit në Libi njoftuan një armëpushim në përgjigje të një thirrjeje të përbashkët të udhëheqësve turq dhe rus.
Megjithatë, bisedimet për një marrëveshje të përhershme armëpushimi përfunduan pa marrëveshje të hënën në Moskë, pasi Khalifa Haftar u largua nga kryeqyteti rus pa e nënshkruar marrëveshjen.
Të dielën, më 19 janar, në kuadër të Procesit së Berlinit për zgjidhjen e krizës në Libi, në kryeqytetin gjerman do të mbahet një konferencë ndërkombëtare.
Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) me qendër në Tripoli që gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.
Në muajin prill të vitit të kaluar, Haftar nisi një ofensivë për pushtimin e Tripolit, veprim i cili u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar.
Pritjet e Italisë
Di Maio tha se Italia shpreson që vendet të cilat marrin pjesë në Konferencën e Berlinit, të ndërmarrin hapat e parë operacionalë për një armëpushim të përhershëm.
Ai deklaroi se ndërhyrjet e huaja në Libi duhet të ndalen dhe të gjitha vendet duhet të ndjekin vendimet për bllokimin e armëve.
Di Maio shtoi gjithashtu se duhet të vendoset një mision ndërkombëtar për të monitoruar armëpushimin.
Duke folur për një zgjidhje të mundshme të paqes në Libi, ai propozoi një mekanizëm trepalësh midis Turqisë, Italisë dhe Rusisë.
I pyetur se pse Italia nuk e nënshkroi deklaratën përfundimtare të takimit në Kajro mbi Libinë, Di Maio tha se deklarata ishte jashtëzakonisht e pabalancuar ndaj Turqisë dhe qeverisë legjitime të drejtuar nga al-Sarraj.
Më 15 janar në Kajro, qeveria egjiptiane mbajti një takim për të diskutuar zhvillimet e fundit në Libi. Ministrat e jashtëm të Egjiptit, Francës, Italisë, Greqisë dhe Administratës Greke të Qipros Jugore morën pjesë në takim dhe publikuan një deklaratë për Libinë të cilën Italia nuk e nënshkroi.
Projekti i Gazsjellësit të Mesdheut Lindor
Lidhur me Projektin e Gazsjellësit të Mesdheut Lindor (EastMed), Maio tha se projekti mund të jetë një plan i realizueshëm në planin afatmesëm dhe afatgjatë, por vetëm pasi të vlerësohen kostoja e tij dhe procesi i ndërtimit.
I pyetur pse Italia nuk mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të projektit EastMed në fillim të janarit megjithë se ishte e ftuar, Di Maio tha se projekti duhet të dëshmojë se është ekonomikisht i qëndrueshëm.
“Unë besoj se kjo infrastrukturë, e cila mund të luajë një rol pozitiv në diversifikimin e burimeve evropiane, duhet të dëshmojë se mund të tërheqë kapitalin e nevojshëm për ndërtimin e saj dhe mund të jetë ekonomikisht e qëndrueshme”, tha ai.
Më 1 janar, Greqia, Izraeli dhe administrata qipriote greke nënshkruan një marrëveshje për projektin Mesdheu Lindor për ndërimin e tubacionit të gazit natyror prej 1.900 kilometrash që do të rrjedhë nga Izraeli përmes Qipros Jugore, Kretës, Greqisë dhe në fund në Itali.
Marrëdhëniet Turqi-Itali
Shefi i diplomacisë italiane i vlerësoi si tradicionalisht të shkëlqyera marrëdhëniet midis vendit të tij dhe Turqisë.
Di Maio tha se dy vendet kanë një rol kyç për ndalimin e fluksit të parregullt të migracionit dhe për garantimin e sigurisë në Lindjen e Mesme.
“Megjithë mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor gjatë muajve të fundit, Turqia është një anëtar i rëndësishëm i NATO-s dhe është aktor kryesor për Italinë dhe BE-në”, tha ministri i Jashtëm i Italisë.