Krifca: Produktet “Specialitet Tradicional i Garantuar”, me logo kombëtare

Produktet e para autoktone janë regjistruar si marka të mbrojtura pasi kanë kaluar procesin e verifikimit të përputhshmërisë për treguesit gjeografikë, emërtimin e origjinës dhe traditës, duke marrë kështu logon kombëtare dhe prezantimin e tyre në treg si “Specialitet Tradicional i Garantuar”.

Logo “Specialitet Tradicional i Garantuar” tashmë gjendet në etiketën e mjaltit të Bedunicës, djathit të ziem dhe djathit të dhisë nga Bjeshkët e Runjës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca publikoi në rrjete sociale logon e  produkteve të certifikuara si Specialitet Tradicional i Garantuar, teksa bëri të ditur se, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po krijon hartën e prodhimeve tradicionale shqiptare, e cila ka fuqi ligjore në aspektin e “Specialitetit Tradicional të Garantuar”, me impakt në rritjen e agroturizmit dhe eksporteve bujqësore.

Qepa e Drishtit, qepa e kuqe e Dishnicës, fasulet pllaqi të Hoçishtit, djathi i dhisë Bulaç, djathi i deles i Kalasë së Dodës, lakra e Postribës dhe ulliri Kalinjot, janë vetëm disa nga produktet tradicionale të cilat po identifikohen si Produkt Tradicional i Garantuar.
Pas identifikimit, grupet e prodhuesve që do të regjistrohen, do të mbështeten me certifikimin përkatës të treguesit gjeografik, apo produktit të origjinës.

Krifca tha se, procesi i certifikimit do të përfshijë të gjitha qarqet dhe rajonet e tyre nga jugu në veri të vendit për të gjitha  varietetet vendase të kultivimit të rrushit, kumbullës, shegës, ullirit, arrave, lajthive, mollëve etj. Për të gjitha prodhimet autoktone si djathi, turshia, jufkat, vera, mjalti, oshafi, vaji i ullirit, glikoja etj. Në hartë janë përfshirë racat e dhisë si ajo e Hasit, dele, troftë, krapi, etj.

Gjithashtu përfshihen perimet dhe zarzavatet, ku spikasin disa lloje vendase si patatja e Shishtavecit, domatja “zemërkau”, lakra dhe preshi i Kasharit.

Harta e produkteve tradicionale zgjerohet edhe në drejtim të bimësisë së egër, ku spikasin boronica, gështenja, thana. Disa gatime tradicionale janë përfshirë gjithashtu, të tilla si, fërliku, byreku me qumësht, fërgesa, flija, mishi i thatë dhe maza e zier, arapashi, tava e krapit, qullmishi etj.

Ky proces synon të evidentojë të mbrojë dhe të rrisë vlerën e prodhimeve tradicionale autentike STG “Specialitet Tradicional i Garantuar”, pjesë e së cilës është edhe harta e prodhimeve tradicionale shqiptare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi