Kreu EESC-së apel klasës politike: Ndërtoni perspektivë të re

Teksa në qershor Shqipëria pret të mësojë nëse do të ulet ose jo në tavolinën e negociatave me Bashkimin Europian, Presidenti i Komitetit Ekonomik e Social Evropian, Luca Jahier i bën thirrje për vetëpërmbajtje klasës politike shqiptare. Në analizën që i bën krizës shqiptare, ai thekon se përballjet politike nuk duhet të shndërrohen të dhunshme dhe institucionet duhen respektuar.

“Roli i politikës nuk është të dëmtojë institucionet por të ndërtojë një prespektivë e re. Shqipëria po kalon një periudhe të fortë të konfliktit politik. Përsa kohë përballjet do të mbeten në rrafshin e ideve të ndryshme apo prioriteteve të ndryshme, është absolutisht normale për demokracinë. Por me dy përcaktime të qarta: jo dhunë në përballjet politike dhe respekt të plotë dhe aspak minim apo delegjitimimin e instituciuoneve të përbashkëta, sepse institucionet e përbashkëta janë të vendit, nuk i përkasin partive, asaj në pushtet apo asaj që kërkon të marrë pushtetin.

Luca Jahier pranon se ka presione apo ndikime nga vende të treta kur flitet për procesin e zgjerimit europian. Qeverisë shqiptare ai i rekomandon t’i qëndrojë objektivit të saj, integrimin në BE.

“Nuk duhet të jemi naivë. Forcat e jashtme gjithnjë luajnë rol në politikë, kanë rol në çdo hap të ndërtimit të Bashkimit Europian. Edhe atëherë kur BE u ngrit nga 6 vendet themeluese. Asokohe ishte Lufta e Ftohtë, ndërsa sot ka të bëjë me një situatë me interesa gjeopolitike. Sigurisht që forcat e jashtme gjithmonë punojnë dhe sa më shumë gjejnë një hapësirë për të ndërhyrë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, po ashtu edhe në Britaninë e Madhe, në Francë e vende të tjera të BE, ata do ndërhyjnë, sepse kanë axhendën e tyre gjeopolitike. Mund të jetë Rusia, mund të jetë Turqia, vendet arabe apo Kina. Ata gjithnjë luajnë.

Është detyra e autoriteteve të vendit të kenë një vendim të qartë se cili duhet të jetë drejtimi. Të mbahen raporte të mira me të gjithë, por duke thënë qartë se drejtimi juaj duhet të jetë Bashkimi Europian. Kështu sa më fuqishëm qeveria juaj të qendrojë në këtë drejtim, aq më e fortë do të jetë për t’i rezistuar këtyre influencave që nuk janë vetëm miqësore, por që ndonjëherë shkojnë përtej kësaj”- shprehet ai

Presidenti i Komitetit Ekonomik e Social Evropian flet për progres të Shqipërisë, veçanërisht sa i takon reformës në drejtësi. Ai mendon se me reformat e ndërmarra në qershor vendimi për çeljen e neociatave duhet të jetë pozitiv.

“Sot ka shumë vende pjesë e Europës Lindore që janë pjesë e Bashkimit Europian dhe nuk ka kuptim që pjesa qendrore të mos jetë pjesë e Europës. Është vetëm çështje kohe, por ky është drejtimi dhe Shqipëria po ecën në rrugën e duhur.

Duhet të plotësohet rruga e nisur me reformën në drejtësi, që është një hap i jashtëzakonshëm, një hap unik po ta krahasojmë me vende të tjera. Mos ndaloni tani, sepse më e keqja do të ishte që puna të ndalet në mes të procesit, që është një trasformim shumë i thellë dhe i komplikuar. Duke vazhduar kështu jam i bindur se institucionet europiane do e ndihmojnë këtë proces. Ne vijojmë presionin që negociatat të nisin sa më parë, shpresoj në qershor”- thekson Jahier.

Luca Jahier ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Forumin e VII-të të Shoqërisë Civile në Ballkanin Perëndimor. Ai mendon se diferencat mes popujve, për shkak të së kaluarës mund të rrëzohen vetëm nga edukimi i të rinjve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi