Kosovë, kërkohet tërheqja e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike

Rreth 100 shoqata civile në Kosovë kanë nisur një fushatë për kundërshtimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike në Prishtinë me moton “Paratë tona, standardet tona”.

Përfaqësues të këtyre shoqatave bënë të ditur nëpërmjet një konference për media se shumica e amendamenteve të propozuara nga grupi punues në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa për Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike cenojnë standardet ndërkombëtare për financimin e partive.

Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, tha se amendamentet e miratuara në lexim të dytë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa e dëmtojnë projektligjin.

“Ai (projektligji për financimin e partive politike), veçse është degraduar më tutje duke synuar që t’ju përshtatet partive aktuale në pushtet, madje duke prishur edhe parimet aktuale që gjenden në ligjin apo versionin e ligjit aktual. Dhe kjo konsiderojmë e kthen prapa reformën zgjedhore dhe lejon hapësirë që të keqpërdoren më tutje paratë publike apo paratë e taksapaguesve të Republikës së Kosovës”, tha Loxha.

Loxha përmendi si problematike edhe propozimin e komisionit parlamentar për buxhet dhe financa që shpërndarja e mjeteve për financimin e partive politike të bëhet në bazë të madhësisë apo grupit parlamentar, të cilin e quajti të dëmshëm.

Nga organizata “Çohu”, Arton Demhasaj përmendi se shumë nga amendamente cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike (RPPC) duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave.

“Janë obliguar partitë politike që në baza tremujore t’i publikojnë raportet ose pasqyrat financiare në faqet e tyre dhe nëse është vit zgjedhor çdo dy javë duhet t’i përditësojnë pasqyrat e tyre financiare në ueb-faqe dhe kjo në grupin punues në Kuvendin e Kosovës është ndryshuar dhe është hequr i gjithë obligimi që partitë politike t’i publikojnë pasqyrat e tyre financiare nëpër ueb-faqet e tyre, por vetëm si obligim e kanë lënë që partitë politike pasqyrat e tyre financiare t’i dorëzojnë në KQZ. Kjo në masë të madhe e dëmton transparencën dhe llogaridhënien e partive politike karshi financimit të tyre”, tha Demhasaj.

Një problem tjetër në këtë konferencë u përmend edhe rritja e shumës së kontributit të parasë së gatshme nga 50 euro në 500 euro nga individë të ndryshëm apo kompani, në llogari të partive.

Dje, përfaqësues të shoqërisë civile kanë takuar për këtë çështje kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se do të angazhohet që të punojnë së bashku rreth rekomandimeve të ngritura nga shoqëria civile.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi