Konflikti në Ukrainë, shkëmbehen të burgosurit me rebelët

Ukraina është kthyer sërish në vëmendjen e shtypit botëror me shkëmbimin më të madh të të burgosurve që prej fillimit të konfliktit në vitin 2014.

Lëvizja konsiderohet pjesë e rëndësishme e zbatimit të Marrëveshjes së Minskut. Udhëheqja ukrainase i dorëzoi separatistëve 237 të burgosur. Të ashtuquajturat Republika Donjeck dhe Luhansk lejuan kthimin e 73 personave. Sipas Presidentit Petro Poroshenko, këta të fundit kanë mbërritur sakaq në atdhe.

Shkëmbimi u parapri nga negociata që zgjatën për muaj të tërë. Në to morën pjesë përfaqësues të Ukrainës, të Rusisë, të Kishës Ortodokse Ruse dhe të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Europë. Liderët e parë ndërkombëtarë që e përshëndetën këtë veprim ishin kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila është përpjekur me kohë që të shtojë presionin mbi Vladimir Putinin për luftën në Ukrainë, si dhe Presidenti francez Emmanuel Macron. Në deklaratën e tyre të përbashkët, dy udhëheqësit perëndimorë kërkuan që tani të lirohen edhe të burgosurit e tjerë.

Sipas Marrëveshjes së Minskut, shkëmbimi i të burgosurve duhet të ishte realizuar që dy vjet më parë. Historiani 63-vjeçar Igor Kozlovskiy, i mbajtur në robëri nga rebelët për dy vjet nën dyshimin se grumbullonte armë, i tha agjensisë së lajmeve AFP se në Donjeck ka ende shumë persona të burgosur./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi