Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se kompania ajrore gjermane “Lufthansa” po bashkëpunon me Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Në një shkrim në rrjetet sociale, presidenti Thaçi tha se e mirëpret “nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane ‘Lufthansa’ dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd”.
Ai tha se një gjë e tillë shënon një hap tjetër në përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
“Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-ve në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit (Donald) Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, shkroi Thaçi.
Aviokompania “Lufthansa” ka njoftuar autoritetet e Kosovës për një gjë të tillë në një ceremoni në ambasadën amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell, të cilit përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet në vende të tjera.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, pasi pranoi këtë letër, tha se ky është një hap përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.
“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha, i cili tha se nga kjo do të përfitojnë më shumë qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës.