KLP nuk ka zyra! Ibrahimi, letër Kuvendit: Duhen 250 mln lekë

I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, se kush është përgjegjës për faktin që KLP-ja nuk ka ende zyrat e veta, përgjigjja e kreut të këtij institucioni të ri të Reformës në Drejtësi, Gent Ibrahimi ishte e qartë: Qeveria!

“Është përgjegjësi e qeverisë që duhej ta kishte zgjidhur problemin e zyrave të Këshillit”, shtoi më tej Ibrahimi.

Në mbyllje të muajit si kreu i qeverisë së prokurorëve, Gent Ibrahimi vendos të flasë troç. Shkak është bërë sorollatja e anëtarëve, herë në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë ku zhvillojnë mbledhjet, e herë në Prokurorinë e Përgjithshme ku përkohësisht kanë marrë zyra borxh.

Këtij shqetësimi i shtohet edhe mosekzistenca e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, për të cilin sërish fajet i ka politika.

“Në rast se politika nuk miraton ligjin, nuk ka asnjë mënyrë për të disiplinuar prokurorët e korruptuar apo ata të paaftë”, tha më tej Ibrahimi.

Nga ana tjetër pritet që në mars KLP të çelë garën për Prokuror të Përgjithshëm, një moment ky i komentuar nga anëtari i akuzuar Bujar Sheshi, si ekspozim ndaj trysnisë së politikës.

“Ne nuk perceptojmë asnjë presion, këto i konsiderojmë si procese individuale që kanë të bëjnë me anëtarin individual”, tha kryetari i KLP-së.

Njëkohësisht me këtë klimë ndaj KLP-së, e vetmja që fiton edhe disa muaj si prokurore e Përgjithshme e përkohshme është Arta Marku.

TCH: A mund të parashikoni ju se kur do të ketë Shqipëria, SPAK-un dhe një Prokuror të Përgjithshëm?

Gent Ibrahimi: Po, të dyja do të ndodhin rreth muajit qershor, besoj. Këto janë llogaritë tona.

Me gjithë parashikimet, deri më tani kanë aplikuar për në SPAK vetëm 11 prokurorë, një numër nën kuotat për garën që duhet të nxjerrë 15 prokurorë fitues, drejt Prokurorisë së Antikorrupsionit.

“Nuk ka stepje, kemi ende 7 ditë kohë përpara”, tha Ibrahimi.

Pavarësisht kësaj, burimet thonë se javën e ardhshme prokurorët janë thirrur në një takim të posaçëm, nga i cili do të synohet frymëzimi i tyre për të garuar drejt SPAK-ut. Nga ana tjetër, ndërkombëtaret po përsërisin prej javësh apelin për të aplikuar.

“E bëra sot në mëngjes, gjatë fjalimit tim. Kolegët e mi amerikanë e bënë dy ditë më parë. Siç e thashë, kemi besim se do të kemi mjaftueshëm kandidatë deri në fund të javës tjetër”, tha Luigi Soreca, ambasador i BE-së në Tiranë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi