Këto janë dhjetë arsye pse duhet ta bojkotojmë barkodin 860

Sa herë që ndodhemi para rafteve të marketeve dhe zgjasim dorën për të marrë ndonjë produkt serb që mbanë barkodin 860, duhet të na kujtohen masakrat gjithandej Kosovës. Duhet të na kujtohen nënat e Gjakovës. Duhet të na kujtohen varrezat masive në Petrovosello, Rudnicë, etj. Duhet të na kujtohet fotografia e Vuçiqit në krah të Milosheviqit. Evropa mund të na detyrojë të heqim taksat për mallrat serbe, por nuk mund të na imponojë t’i blejmë ato.

Edhe atëherë kur Ramush Haradinaj si kryeministër merr vendime të gabuara, ai e ka guximin të ballafaqohet me to.

Nëse të gjitha vendimet e Qeverisë së udhëhequr prej tij kanë qenë të gabuara dhe të dëmshme, ai i së mërkurës është vendimi më i mirë dhe më i drejtë.

Rritja e taksës 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, është i domosdoshëm dhe duhet të mbështetet nga të gjithë.

Nëse ka diçka që do të duhej t’i bashkonte të gjithë shqiptarët është ballafaqimi me Serbinë.

Nuk ka asnjë dilemë se Serbinë e kemi armik. Nuk ka asnjë dilemë se ky shtet që deshi të na zhbëjë si qenie, po me aq fuqi dëshiron të na zhbëjë si shtet.

Shiheni rezultatin e fundit të angazhimit të Serbisë për ta dëmtuar Kosovën. Arriti që të ndikojë tek shumë vende anëtare të Interpolit që të votonin kundër pranimit të Kosovës në këtë mekanizëm policor ndërkombëtar.

Janë me qindra arsye se pse Kosova duhet të përballet me Serbinë në këtë mënyrë. Ta dëmtojë ekonomikisht deri në masën e dorëzimit të saj përballë të drejtës më legjitime: bojkotimin e prodhimeve të këtij shteti.

E kemi provuar tash e sa vjet se me Serbinë nuk mund të merresh vesh. Për këtë arsye, Kosova duhet të mos dorëzohet para presionit ndërkombëtar për të hequr taksën për mallrat serbe.

Prej qindra arsyeve për t’i bllokuar e bojkotuar prodhimet serbe, dhjetë janë më të rëndësishmet mbi të cilat nuk duhet të lëshojmë pe.

Përgjatë viteve të ‘90-ta, Serbia provoi që të na lë pa bukë. Largoi thuajse të gjithë punëtorët shqiptarë nga administrata dhe ndërmarrjet e atëhershme shtetërore.

Megjithatë, ne ia dolëm të mbijetonim.

Mbylli shkollat dhe Universitetin për shqiptarët duke provuar rritjen e gjeneratave shqiptare analfabete.

Ne ia dolëm të shkolloheshim edhe nëpër oda, stalla, e bodrume shtëpish.

Ambulancat dhe spitalet i bëri të paqasshme për shqiptarët.

Ne u mjekuam në ordinancat e “Nënës Terezë” dhe ato private.

Kur nuk arriti qëllimin që priste: pastrimin sistematik të Kosovës nga shqiptarët dhe popullimin me kolonë serbe nga Kroacia dhe Bosnja, shkaktoi luftë të përgjakshme gjatë viteve 1998-1999.

Vrau mbi 12 mijë civilë shqiptarë, kryesisht fëmijë, gra, pleq e njerëz të pambrojtur.

Dëboi nga Kosova mbi 800 mijë shqiptarë.

Shkatërroi pronat dhe ekonominë tonë, sado e dobët që ishte ajo.

Kreu krimet më të tmerrshme pas luftës së Bosnjës: masakra mbi familjen Jashari, masakrat në Qirez dhe Likoshan, Izbicë, Meje, Gjakovë, Raushiq, Qyshk, Krushë, Rahovec, Bërnicë, Padalishtë, Podujevë, Studime, Vushtrri, e vende tjera.

Dhunoi mbi 20 mijë gra e vajza shqiptare.

Nuk e zbuloi fatin e mbi 1. 600 të zhdukurve.

Dhe, më e keqja kurrë nuk kërkoi falje dhe nuk u pendua për këto krime.

Ne, sërish i mbijetuam edhe kësaj lufte dhe arritëm ta rindërtojmë jetën, sado që as sot nuk po mund t’i sanojmë pasojat e atyre viteve të represionit dhe luftës.

Edhe pas të gjitha këtyre dëmeve, shqiptarët provuan të falin, e edhe të harrojnë. Lejuan fqinjët e tyre serbë të kthehen në shtëpitë dhe fshatrat e tyre.

Edhe pas rënies së regjimit të Milosheviqit, Serbia nuk hoqi dorë asnjëherë nga dëmtimi i Kosovës dhe shqiptarëve. Vetëm se në forma tjera.

Për të paktën këto dhjetë arsye, dhe shumë tjera të ditura, Kosova nuk duhet të lëshojë pe përballë kurrfarë presioni.

Të gjithë duhet ta mbështesim Qeverinë në këtë betejë politike-ekonomike me Serbinë.

Megjithatë, partitë politike shqiptare duhet të ulen dhe të merren vesh për betejat e ardhshme. E para, krijimin e një uniteti të pathyeshëm për këtë çështje. Pastaj, marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme.

Deri atëherë, Qeveria duhet të funksionojë pa bojkotim të opozitës. Si mend për qeverinë e ardhshme, asnjë subjekt politikë nuk duhet ta bazojë shumicën parlamentare në votat e deputetëve të Listës Serbe. Sepse ky subjekt nuk i përfaqëson interesat e popullatës serbe në Kosovë, por interesat e Qeverisë së Beogradit.

E dimë se në shumë raste, Kosova është tërhequr prej vendimeve të saj pas presionit ndërkombëtar. Edhe po ndodhi një gjë e tillë, atëherë, shqiptarët duhet të heqin dorë nga blerja dhe konsumimi i produkteve të Serbisë. Barkodin 860 duhet ta memorojmë të gjithë në kokë në mënyrë që asnjë centë të mos e shpenzojmë duke blerë mallra që kanë këtë barkod./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi