“Kanadaja pranon shqetësimet legjitime të Turqisë”

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland, duke iu referuar Operacionit Dega e Ullirit në Afrin të Sirisë, tha se Kanadaja pranon shqetësimet legjitime të Turqisë për sigurinë.

Në një deklaratë me shkrim në lidhje me operacionin në fjalë, Freeland ka thënë se Kanadaja ndien shqetësim të thellë nga armiqësitë në veri të Sirisë, duke theksuar se ndjekin nga afër gjendjen, përfshirë edhe ndikimin ndaj civilëve.

“Kanadaja pranon shqetësimet legjitime të Turqisë për sigurinë. Krahas kësaj, bëjmë thirrje për qetësi dhe të bëhet çdo përpjekje për mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e plotë të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Ne duhet të vazhdojmë të fokusohemi në mposhtjen e DEASH-it. Për arritjen e këtij qëllimi të përbashkët, nevojiten përpjekje të forta dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë miqtë dhe aleatët në rajon të cilët i vlerësojmë dhe ua pranojmë rolet dhe sakrificat”, ka thënë Freeland.

Ndryshe, më 20 janar, Turqia nisi Operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.

Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.

Sipas Shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

Ushtria gjithashtu ka thënë se “rëndësi të madhe” është duke i dhënë të mos dëmtohet asnjë civil dhe se janë duke i shkatërruar vetëm objektivat terroriste.

Afrini ka qenë strehë e madhe për organizatën terroriste PYD/PKK që nga korriku i vitit 2012, kur regjimi i Asadit në Siri ia la qytetin organizatës terroriste pa luftë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi