Izraeli planifikon vendbanime të reja ilegale në Bregun Perëndimor

Autoritetet izraelite kanë planifikuar ndërtimin e tre vendbanimeve të reja kolone hebreje në rajonin e Luginës Jordaneze (Al Ghor) të Bregut të okupuar Perëndimor.

Në një artikull të gazetës izraelite Haaretz bëhet e ditur se qeveria e Izraelit, në krye me kryeministrin Benjamin Netanyahu, do të ndërtojnë tre vendbanime të reja hebreje në Luginën Jordaneze të Bregut të okupuar Perëndimor, të cilat do të strehojnë dhjetë mijë hebrenj.

Më tej thuhet se planifikohet zgjerimi i lagjeve ekzistuese duke ndërtuar 14 lagje të reja.

“Deri më tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me ndërtimin e vendbanimeve të reja hebreje dhe as nuk është ndarë ndonjë buxhet i caktuar për planin në fjalë”, thuhet më tej në artikullin e gazetës.

Gjithashtu, njoftohet se në Luginën Jordaneze tanimë ekzistojnë 20 vendbanime kolone hebreje në të cilat banojnë 4.500 hebrenj dhe se qeveria dëshiron të rrisë këtë numër.

Qeveria izraelite nën udhëheqjen e Netanyahut kohëve të fundit ka përshpejtuar proceset ndërtimore të vendbanimeve ilegale hebreje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Njoftohet se nga viti 1967 e deri më tani, Izraeli në Bregun Perëndimor ka ndërtuar 131 vendbanime, në Kudsin Lindor dhjetë dhe në lartësirat e Bregut Perëndimor 116.

Kolonët e vendosur në Bregun Perëndimor arrijnë shifrën 500 mijë, në Kudsin Lindor 220 mijë, ndërsa mendohet se për një kohë të shkurtër ky numër do të arrijë në një milion.

Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë.

Sipas marrëveshjes, deri në arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare, nuk do hidheshin hapa për ndryshimin e realitetit në terren. Megjithatë, Izraeli, duke e shkelur Marrëveshjen e Oslos, vazhdoi të vendosë kolonë hebrenj dhe të ndërtojë stacione ushtarake.

Sipas ligjeve ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet kolone hebreje janë ilegale./Rtv

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi