Ish-kryeministri i pestë flet kundër ligjit post-brexit

Disa nga ish-udhëheqësit britanikë e kritikojnë një nismë të re të qeverisë për të anashkaluar marrëveshjen e divorcit me Bashkimin Europian.

Pas ish-kryeministrave konservatorë  Theresa May, Sir John Major dhe laburistëve Tony Blair dhe Gordon Brown, të hënën edhe kryeqeveritari që drejtoi vendin në vitet 2010-2016, David Cameron, vlerësoi se qeveria aktuale po dëmton reputacionin e Britanisë në nivel ndërkombëtar.

Nisma ka nisur të debatohet në parlamentin britanik dhe parashikon që në rast se Brukseli dhe Londra nuk arrijnë kompromis për një marrëveshje dypalëshe për tregti të lirë brenda 31 dhjetorit, pala britanike me një ligj të brendshëm nuk do rikthejë kufijtë doganorë mes veriut të vendit dhe shtetit të Irlandës siç palët kishin vendosur vitin e kaluar përpara Brexit.

“Të votosh një akt parlamentar dhe të shkelësh detyrimet e një traktati ndërkombëtar është absolutisht zgjidhja e fundit që duhet të na shkojë ndër mend. Kam dyshimet e mia për atë çka propozohet, që mund të votohet ose jo, apo të përdoret ose jo sipas rrethanave, por negociatat jetike me Bashkimin Europian ato duhet të jenë prioriteti ynë kryesor.”

Ligji për tregun e brendshëm pritet të hidhet në votim në mbrëmje dhe të marrë miratimin e ligjvënësve, por vështirësi do hasen në fazat e mëvonshme në Dhomën e Lordëve.

Kryeministri Boris Johnson thotë se qëllimi i ligjit është të ruajë paqen dhe të mos rihapë plagët e konfliktit të vjetër nacionalist mes provincës së Irlandës Veriore dhe fqinjëve irlandezë.

Irlanda si vend që aderon në Bashkimin Europian, ka qortuar Britaninë se nuk po tregon të vërtetën dhe se marrëveshja paraprake në kuadër të Brexit është e nevojshme.

Kryediplomati irlandez, Simon Coveney, mendon se përndryshe mallrat që vijnë nga Britania do qarkullonin lirshëm në tregun e përbashkët europian duke hyrë nga Republika e Irlandës.

“Për mendimin tim, qeveria britanike po sillet në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe populli britanik duhet ta dijë se jashtë Britanisë ku ky problem po diskutohet, është dëmtuar në mënyrë serioze reputacioni i Mbretërisë së Bashkuar dhe i Britanisë si partner i besuar në negociata për tema të rëndësishme si kjo.”

Qeveria britanike i ka lënë afat deri më 15 tetor negociatorëve të Bashkimit Europian për të gjetur pikat e përbashkëta për të zhvilluar tregtinë e lirë dypalëshe.

Pas shkëputjes nga blloku europian më 31 janar, Britania synon një marrëveshje të re tregtare që i jep asaj pavarësi të plotë në zonën ekskluzive ekonomike në det dhe në konkurrencë me kompanitë simotra europiane.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi