Indonezi, ish-kryeparlamentari dënohet me 15 vite burg për korrupsion

Gjykata indoneziane sot ka dënuar Setya Novanto, ish-kryetarin e Kuvendit, me 15 vite burg për shkak të pjesëmarrjes në korrupsion disamilonësh.

Gjykatësi Franky Tambuwun tha se Novanto ka keqpërdorur autoritetin dhe pozitën e tij në procesin e përcaktimit të buxhetit dhe furnizimit të letërnjoftimeve. Ai shtoi se Novanto ka marrë si ryshfet 7.3 milionë dollarë dhe një orë “Richard Mille” në vlerë prej 135.000 dollarë.

Novanto, po ashtu, është dënuar edhe me 37.000 dollarë dhe ndalesë për ushtrimin e çfarë do funksioni publik gjatë pesë viteve të ardhshme. Krahas kësaj, është i obliguar të kthejë 7.3 milionë dollarë që ka marrë.

Gjatë gjykimit Novanto u prononcua se nuk është fajtor, duke thënë se është duke shqyrtuar mundësinë që të ankimojë vendimin.

Ish-zyrtari, të cilin presidenti amerikan Donald Trump me një rast e përshkruajti si “të fuqishëm” dhe “të shkëlqyeshëm”, gjendet në mesin e disa politikanëve të njohur të akuzuar për marrje ryshfeti.

Skandali doli në opinion në vitin 2017, ndërsa vlerësohet se tatimpaguesit janë dëmtuar për rreth 170 milionë dollarë.

Programi i letërnjoftimeve të reja filloi në vitin 2011 me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe efikasitetit më të madh të të dhënave për më shumë se 250 milionë banorë të Indonezisë.

Sipas hetuesve, rreth gjysma e buxhetit të projektuar prej 5.8 trilionë rupia indoneziane (rreth 434 milionë dollarë) u janë ndarë 37 personave, mes të cilëve janë Novanto dhe 23 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Novanto u detyrua që përkohësisht të heqë dorë nga pozita e kryetarit të Kuvendit për shkak të informacioneve për korrupsion në vitin 2015, pasi u kap duke kërkuar aksione në vlerë prej një miliardë dollarë nga një kompani minierash e SHBA-ve.

Por, u lirua nga akuzat dhe u kthye në pozitë e kryetarit të Kuvendit, të cilën sërish u detyrua ta braktisë në dhjetor të vitit 2017./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi