Indi, institucionet me emrat e personave që paguajnë taksat

Për të inkurajuar njerëzit që të paguajnë taksat, India do t’u vendosë rrugëve, shesheve, institucioneve, ndërtesave dhe trenave emrat e atyre që paguajnë taksat rregullisht.

Krishnamurthy Subramanian, kryekëshilltari i kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, paraqiti në Parlament Anketën e Kërkimeve Ekonomike 2019, e cila ka përfshirë propozime për rritjen e të ardhurave tatimore në vend.

Anketa propozon që emrat e personave që paguajnë taksa rregullisht në shtete dhe qytete t’u vendosen rrugëve, shesheve, institucioneve, ndërtesave dhe trenave me qëllim të inkurajimit të pagesës së taksave. Rekomandohet që këtyre personave t’u jepen të drejta të tilla si kalimi i shpejtë në aeroporte dhe t’u njihen të drejta të veçanta kalimi ashtu sikurse diplomatëve.

Në propozim vihet në dukje se me vendosjen e tabelave “Kujdes! Taksa juaj po punon” pranë ndërtesave duhet të jepet ndjesia se taksat e paguara i rikthehen popullit si një shërbim. “Tatimpaguesit duhet të nderohen duke krijuar objekte të veçanta sociale dhe duhet t’u tregohet se pagesa e taksës është një sjellje e ndershme”, thuhet më tej.

Sipas Anketës së Kërkimeve Ekonomike 2019, në Indi e cila ka një popullsi prej mbi 1.3 miliardë banorë, vetëm 41 milionë njerëz kanë paguar taksa në periudhën 2017-2018. Përveç evazionit fiskal si arsye është theksuar se shumë njerëz nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar taksat.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi