Ideja për korrigjimin e kufijve, ky deputet del pro Thaҫit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili, nuk e konsideron si të rrezikshme idenë e prezantuar nga presidenti Thaçi për lëvizjen e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, nëse vija kufitare që caktohet nga një marrëveshje e tillë është përcaktuese për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe njohjen nga pesë vendet e BE-së, atëherë nuk ka pse të konsiderohet e rrezikshme.

“Unë nuk e shoh të rrezikshme. Në qoftë se në atë dialog palët vijnë në përfundim që të pajtohen për qatë vijë kufitare, dhe ajo për Kosovën është determinuese për pranimin në OKB të Kosovës dhe njohja e pesë shteteve të Evropës, nuk e shoh të rrezikshme. Çdo gjë që bëhet me marrëveshje dy palëshe pa e rrezikuar palën e tretë, nuk besoj që mundet me qenë të rrezikshme” ka thënë ai.

Xhelili thotë se njerëzit nuk duhet të frikësohen nga dialogu me Serbinë, pasi sipas tij mund ky momentum mund të jetë një shans shumë i mirë për të dalë të suksesshëm nga bisedimet.

“Çështja e kufijve dhe çështja e dialogut, njerëzit nuk janë duke e analizuar në detaje dhe nuk janë të njoftuar për krejt ecurinë, për kërkesat e serbëve dhe për kërkesat tona. Besoj që gërshetimi i atyre kërkesave duhet të rezultojë me pajtueshmëri të dy palëve. Nuk e shoh të arsyeshme që njerëzit me iu frikësua dialogut aq shumë qysh po e komentojnë edhe qysh po pozicionohen. Ndoshta është një hapësirë shumë e volitshme për me dalë të suksesshëm në dialog, ndoshta shans i tillë nuk na jepet shpesh, kështu që duhet t’i diskutojmë gjërat në detaje, dhe kompromiset vetë dialogu i nxjerrë, apriori nuk kem nevojë as na me qenë inferior apo me caktua ndonjë kompromis të dhimbshëm”, ka shtuar tutje deputeti i PDK-së.

Sipas tij në këtë proces patjetër garantues duhet të jenë SHBA-ja dhe BE-ja, pasi që Kosova nuk ka kapacitete për realizimin e kërkesave që dalin nga një marrëveshje eventuale me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mekanizmi kryesor që na i mundëson neve me e zbatua atë marrëveshje, sepse ne nuk jemi shtet i fuqishëm as ushtarakisht e as ekonomikisht, për me mujtë me e mbrojt vetë atë që del prej marrëveshjes. Domosdo që garancë duhet me qenë SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Anglia” ka potencuar për Gazetën Express, Fatmir Xhelili.

Dialogu me Serbinë për deputetin e PDK-së nuk duhet të shihet si fushë ku duhen bërë kalkulime të brendshme politike të partive kosovare, por si një çështje ku prioritet është Republika e Kosovës.

“Dialogu me Serbinë nuk ka dështuar. Dialogu është një proces që mundet me i pas ngritjet edhe rënjet në periudha të ndryshme kohore. Mirëpo unë besoj që duhet pasur interesat e Kosovës si prioritet në dialog dhe jo interesat dhe krijimin e kauzave të subjekteve politike për me u kujdes se si do të dalin në zgjedhje”, ka shtuar deputeti i PDK-se.

Sa i përket punës së qeverisë Haradinaj, ai thotë se mungesa e numrave ka bërë që kjo qeveri të ketë fuqi më të vogël, duke përmendur gjithashtu edhe disa lëshime të cilat sipas tij kanë ndikuar negativisht në reputacionin e ekzekutivit.

“ Qeverisja Haradinaj realisht i ka përcaktuar prioritetet, dhe po mundohet që të punojë dhe t’i realizojë ato projekte. Normalisht që për këtë qeveri është pengesë numri i vogël i deputetëve të koalicionit qeverisës. Mendoj që është duke bërë punë të mirë. Megjithatë në disa raste ka pasur disa lëshime të cilat kanë ndikuar në reputacionin e qeverisjes. Mungesa e numrave është një problem, dhe gjithherë qeveria e ka fuqinë ma të vogël kur ka problem me i bo numrat për me i votu ligjet që janë në Kuvend. Faktikisht janë tu njëjtë në Kuvend për lexim të dytë mbi 17-18 ligje, gjë që ndikon në punën e Kuvendit dhe të Qeverisë”, ka shtuar tutje ai.

Megjithatë edhe përkundër kësaj mungese të numrave, Xhelili thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje. Sipas tij kërkesa e LDK-së është jo e duhur, pasi që edhe nëse do të organizoheshin zgjedhje, përsëri do të përsëritej situatë e njëjtë ku asnjëra palë nuk do të arrinte të siguronte një shumicë të qëndrueshme.

“Çdo subjekt ka të drejtë të parashtrojë kërkesa të tilla. Mirëpo edhe po të mbaheshin zgjedhjet sot, është në pikëpyetje se çfarë rezultati do të prodhonin ato zgjedhje. Ndoshta prapë kishte pas vështirësi më u krijua një koalicion me pas shumicë votash. Çdo koalicion që do të ishte krijua do të kishte pasur përafërsisht këtë konstalacion të forcave dhe për këtë arsye zgjedhjet nuk i shoh si zgjidhje në këtë periudhë kohore”, ka përfunduar deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili.

Në këtë prononcim për Gazetën Express, ai ka folur edhe për skandalin e fundit me listat e veteranëve.

Xhelili thotë se procesi nuk mund të zgjidhet me jete juridike, dhe si i tillë duhet të rikthehet përsëri nga fillimi duke krijuar një komision të ri vlerësues.

Sa i përket numrit të ushtarëve të që ka pasur UÇK-ja, Xhelili thotë se maksimumi numri i ushtarëve duke përfshirë edhe ata që kanë asistuar në luftë, mundë të arrijë shifrën prej 20 mijë .

Për raportet ndërmjet Thaçit dhe Veselit, Xhelili thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë acarim të mundshëm. Sipas tij të dy kanë raporte të shumëfishta ndërmjet vete, dhe se nuk bëhet fjalë për ftohje të raporteve të tyre./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi