ICN: Mungesa e infermierëve duhet të trajtohet si emergjencë globale shëndetësore

Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve (ICN) paralajmëroi për mungesën globale të infermierëve, duke deklaruar se çështja duhet të trajtohet si emergjencë shëndetësore globale.

“Sistemet shëndetësore në mbarë botën do të fillojnë të rikuperohen nga efektet e pandemisë dhe të rinovohen vetëm kur të ketë investime të mjaftueshme në fuqinë punëtore globale të mirë-mbështetur të infermierisë”, thuhet në raportin e fundit të ICN-së të titulluar “Rimëkëmbja për rinovim: Investimi në fuqinë punëtore të infermierisë për efektivitetin e sistemit shëndetësor”.

Sondazhi zbuloi se 40 deri në 80 për qind e infermierëve u shprehën se kishin përjetuar simptoma të stresit psikologjik. Numri i infermierëve që kishin shprehur synimet për t’u larguar u rrit në 20 për qind ose më shumë, dhe shkalla vjetore e qarkullimit në spitale u rrit në 10 për qind ose më shumë.

“Raporti ynë përforcon atë që ne kemi thënë që nga fillimi i pandemisë: infermierët kanë qenë në vijën e parë, dhe shpesh në vijën e zjarrit, dhe kjo ka bërë të vetën”, tha presidentja e ICN-së, Pamela Cipriano.

Siç tha ajo, “ora po ecë” dhe tani është koha që të ndërmarrin hapa vendimtarë, duke shtuar se infermierët janë forca bazë jetësore për ndërtimin e një komuniteti më të shëndetshëm.

Sipas raportit të ICN-së, mungesat dhe grevat që prekin fuqinë punëtore të infermierisë janë simptoma të gjendjes së vazhdueshme të rrezikshme të kujdesit shëndetësor dhe duhet të adresohen urgjentisht.

ICN përfshin më shumë se 130 shoqata kombëtare, që përfaqësojnë 28 milionë infermierë në mbarë botën.

“Mungesa e infermierëve në mbarë botën duhet të konsiderohet një emergjencë globale shëndetësore dhe rimëkëmbja nga situata aktuale duhet të jetë prioritet për të gjitha qeveritë”, tha drejtori ekzekutiv i ICN-së, Howard Catton, i cili ishte bashkautor i raportit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi