Ibrahimaj: Do vijojmë mbështetjen e biznesit për çmimin e energjisë

Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila është kryetare e KI.

Tema e kësaj mbledhjeje ishte “Sfidat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në kalimin drejt burimeve alternative të energjisë”.

Gjatë takimit u prezantua edhe vrojtimi nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve “Sfidat e SME-ve: Tranzicioni drejt burimeve alternative të energjisë” dhe diskutimet e të pranishmëve në sallë.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se deri më tani ekonomia e vendit ka treguar rezistencë dhe fleksibilitet, në një kohë që qeveria ka reaguar dhe ka marrë masat e duhura.

Duke iu referuar temës së diskutimit, ministrja u shpreh se tranzicioni i gjelbër dhe investimet në energjitë e rinovueshme, në të gjithë nivelet e bizneseve, është një punë dhe sfidë e përbashkët dhe shprehu gatishmërinë për të ndërmarrë iniciativat e duhura në këtë drejtim, në bashkëpunim me biznesin.

“Sfida që kemi është e ndryshme dhe përgjigja ndaj kësaj sfide është gjithashtu e ndryshme. Format e zhvillimit të biznesit duhet të ndryshojnë. Në nivel global ka vite që flitet për tranzicionin e gjelbër, ka vite që flitet për prodhimin e energjive të rinovueshme dhe për zgjidhjen e qëndrueshme për energjinë elektrike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja pohoi se Shqipëria është një vend që energjinë elektrike e prodhon nga burime të rinovueshme dhe theksoi faktin se qeveria, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë masa në funksion të përmbushjes së objektivit për të diversifikuar ofertën e energjisë elektrike.

Në një kohë që bizneset shqiptare e kanë të bazuar prodhimin e tyre kryesisht në energjinë elektrike, ministrja Ibrahimaj përmendi faktin se qeveria ka subvencionuar dhe do të vijojë të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike për pjesën më të madhe të bizneseve.

“Ne morëm një vendim që në vjeshtë të vitit 2021 që çmimin e energjisë elektrike nuk do ta ndryshonim sepse qoftë për bizneset, qoftë për familjarët, energjia elektrike është kryesore në shportën e shpenzimeve. Rezultatet e nismave që ne kemi ndërmarrë në fakt janë këtu, i kemi të gjitha të prekshme. Ekonomia ende po performon mjaft pozitivisht dhe viti 2023 ka filluar me shifra dhe tregues të mirë. Ne do të vijojmë ta mbështesim energjinë elektrike”, tha Ibrahimaj, ndërsa shtoi se biznesi i vogël dhe i mesëm mbështetet edhe përmes një politikë fiskale tepër lehtësuese.

Në përfundim të takimit, ministrja Ibrahimaj ftoi pjesëmarrësit për të bërë sugjerimet e tyre lidhur me çështjen e diskutimit, por jo vetëm, dhe vuri theksin në përmirësimin e komunikimin dhe forcimin e bashkëpunimit me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi