
Një ditë pas publikimit të reagimit të Ramës, se autoritetet italiane kishin hedhur poshtë kronikën e RAI 3, ky televizion ka nxjerrë një tjetër kronikë përsëri duke i qëndruar shifrave të saj.
Menjëherë ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i cili thotë se RAI 3 i qëndron burimeve të veta për vërtetësinë e lajmit se në Shqipëri prodhimi i kanabisit është rritur me 1200%. Po ashtu sipas Bardhit, RAI 3 i kujtoi Ramës se për këtë vit të dhënat për kanabisin i ka fshehur.
Po ashtu në kronikën e RAI3 thuhej se “Shqipëria kalon vetëm nëpërmjet një kanali televiziv që quhet Edi Rama Tv, që është emri i kryeministrit”.
Bardhi për këtë thotë se është tregim ndaj kryeministrit Rama, si i vetmi në Europë që ka ngritur propagandë zyrtare për të mbuluar të vërtetën.
STATUSI I GAZMENT BARDHIT
Televizioni RAI 3 rikonfirmon përsëri sot shifrat e publikuara disa ditë me parë për rritjen me 1200% të sasisë së kanabisit të mbjellë gjatë këtij viti, duke i qëndruar burimeve të veta për vërtetësinë e lajmit. Edhe pse Edi Rama e konsideroi lajmin të pavërtetë, dhe dje mashtroi opinionin publik duke servirur një shkrim si gjoja reagim të autoriteteve italiane, TV RAI3 e sfidoi duke i kujtuar se të dhënat për këtë vit i ka mbajtur të fshehta!
Përveç kanabizimit masiv të Shqipërisë, Edi Rama mori sot një tjetër klasifikim rekord nga RAI3. Ai u tregua me gisht si i vetmi Kryeministër në Europë që ka ngritur propagandën zyrtare në mekanizëm manipulimi për të mbuluar të vërtetën.
Për mediat ndërkombëtare, kanabizimi i vendit, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe dhunimi i fjalës së lirë, janë e vetmja arritje e Shqipërisë nën qeverisjen e Edi Ramës.
Edi Rama ka deshtuar!