I jepet lamtumira e fundit Mirush Kabashit, homazhet në Muzeun Historik Kombëtar

Homazhet për Mirush Kabashin, njërin nga kolosët e artit shqiptar, u kryen sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Të afërm, miq, kolegë e bashkëpunëtorë edhe nga përtej kufirit, kanë qenë të pranishëm për t’i dhënë “Sokratit shqiptar” lamtumirën e fundit.

Aktorë, regjisorë e kineastë që patën fatin të punonin me Mirush Kabashin, ishin në Muzeun Historik Kombëtar, ku u vendos të kryhej nderimi i fundit për këtë figurë të artit, për shkak edhe se vitet e fundit të jetës dhe aktivitetit të tij, ishin përqëndruar në Tiranë. Të pranishëm kanë qenë artistët e trupës së Teatrit të Durrësit, “Aleksandër Moisiu”, me të cilët Kabashi ka bashkëpunuar ndër vite. Atyre u janë bashkuar edhe artdashës të cilët e kanë ndjekur e duartrokitur Mirush Kabashin gjatë gjithë krijimtarisë së tij, në film e teatër.

Mirush Kabashi vuante nga një sëmundje e rëndë prej 5 vjetësh. “Për ne ishte e papritur, sepse ishte mësuar që ai i fitonte betejat e tij”, u shpreh para medieve, e bija e artistit të ndjerë.

Muharrem Hoxha, Aishe Stari, Luftar Paja, Zamira Kita, Kastriot Çushi, Zhani Ciko dhe shumë të tjerë, të emocionuar u shprehën se “Mirushi kishte ende për t’i dhënë spektatorit të gjithë Shqipërisë”.

Homazhe u kryen edhe nga artistë nga Kosova. Njëri prej tyre, i mirënjohuri Çun Lajçi, la në librin e ngushëllimeve një shënim të gjatë e prekës.

Mes rreshtave, Lajçi kujtonte projektet e tyre të lëna pezull dhe faktin që miku i tij iku papritur.

“Sot tu paska ba boll me poezitë e Mitrushit, Çajupit, Fishtës, që si ti s’i recitoi edhe nji tjetër, që ike natën, madje para ferkut të parë, madje larg Durrësit, para se kur gjelat ta thërrasin dritën e ditës me kangën e tyne kokorimë! Pusho Mirush, sepse ti vërtetë kurrë s’pushove me recitime e deklamime vargjesh”, shkroi mes të tjerash Çun Lajçi për mikun e tij.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi