Hoti: Shtyrja e miratimit të buxhetit është e kundërligjshme

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se shtyrja e miratimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2019 është e kundërligjshme.

Sipas tij, kjo tregon se pazaret ende janë të hapura mes koalicionit PAN dhe PSD-së dhe kjo shtyrje e thellon krizën.

“Qeveria e PAN-it e ka shtyrë miratimin e buxhetit për javën e tretë të janarit. E para, kjo është e kundërligjshme. Nuk mundet Kryeministri të deklarohet për këtë çështje. Në momentin e dorëzimit të çdo projektligji në Kuvend, është përgjegjësi e Kuvendit të procedojë në përputhje me Rregulloren e Punës. E dyta, kjo shtyrje tregon se pazaret në mes të PAN dhe PSD-së nuk janë mbyllur”.

Më tutje, Hoti ka thënë se mosaprovimi i buxhetit këtë vit, dëshmon edhe njëherë se Qeveria ka mungesë të votave minimale në Kuvend për të funksionuar, raporton EO.

“E treta, kjo shtyrje e thellon krizën institucionale në të cilën gjenden vendi. Është hera e parë që buxheti nuk aprovohet brenda afatit ligjor 31 dhjetor. Kjo është mungesa e legjitimitetit, që e kemi theksuar nga prill i këtij viti, ku Qeveria nuk i ka votat minimale në Kuvend për të funksionuar. Mungesa e legjitimitetit ka bërë që të gjitha seancat e sesionin vjeshtor 2018 të Kuvendit të Kosovës, gjithsej 11 seanca, të mbesin të hapura. Ky është qyqarllëk i koalicionit PAN”, tha Hoti në një konferencë për medie.

Një pjesë të përgjegjësisë, Hoti ia hedhi edhe Partisë Socialdemokrate, për siç tha ai, mbajtjen në pushtet të qeverisë.

“Këta nuk kanë zotësi të qeverisin me vendin në mënyrë demokratike. E në anën tjetër, nuk kanë guxim të ballafaqohen me qytetarët dhe të japin përgjegjësi. Këta qyqarë po e mbajnë vendin peng, duke bërë pazare me PSD-në me buxhetin e shtetit vetëm për të qëndruar në pushtet. PSD-ja duhet ta dijë se po bëhet përgjegjëse për dëmin po i bëhet shtetit të Kosovës dhe rendit demokratik, duke mbajtur në pushtet një qeveri të pakicës”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi