Hasani: Thaçi nuk ka kompetenca për ndryshim të Kushtetutës

Ideja e presidentit Hashim Thaçi për ndryshim kufijsh me Serbinë apo edhe shkëmbim të territoreve ka hapur horizonte të ndryshme të diskutimit.

Koncepti i bashkëngjitjes së Luginës me Kosovën është i paqartë, kështu vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Hasani thotë se këto ide të presidentit Thaçi nuk kanë të bëjnë me ndryshime kushtetuese, por çojnë në krijim të një Kushtetute të re.

“Ajo çka është e keqe dhe mendoj tragjike, është që për ndryshim të kushtetutës flitet si për një revidim, sepse synohet që të krijohet një kushtetutë tjetër me qëllim të akomodimit të interesave gjeostrategjike-gjeopolitike të shtetit të Serbisë dhe këtu është tragjedia, në qoftë se ndodhë kjo, nuk është amandamentim, atëherë është revidim i tërësishëm i identitetit kushtetues të Kosovës dhe kjo e bënë që çdo qytetarë të jetë i shqetësuar dhe është një fakt për t’u shqetësuar. Këtu nuk flitet për ndryshim dhe amandamentim të kushtetutës, ajo çka e thotë Hashimi është revidim i tërësishëm që do thotë ndryshim i identitetit kushtetues aktual të Kosovës e kuptim sovranitetin territorial, origjinën e pushtetit, formën dhe organizimin e tij ashtu siç është sot”, ka thënë Hasani në një intervistë për Ekonomia Online.

Sipas Hasanit, edhe pse Kushtetuta ka boshllëqe të shumta, ajo po tentohet të ndryshohet për qëllime që pretendojnë të cenojnë territorin.

“Ajo çfarë unë mendoj është se kushtetuta ka disa të meta të cilat duhet të analizohen mirë dhe në amandamentimin e parë ose në rishikimin e parë, mendoj që është duke u bërë për qëllime të ndryshimit të sovranitetit territorial, jo për ta përmirësuar funksionimin e kësaj kushtetute. Sa i përket përmbajtjes së saj ka nevojë të precizohen disa kapituj, kapitulli i parimeve të përgjithshme duhet të jetë më i qartë, sepse ai është udhëzues për secilën normë më pastaj të kushtetutës kur vjen puna deri tek zbatimi i saj në praktikë”.

Hasani kritikon presidentin Thaçi për përzierje të kompetencave kushtetuese.

“Presidenti nuk mund të mbajë anë politike ose të bëjë orientimin e përgjithshëm të politikës së shtetit, ai mund të jetë propozues, por brenda kompetencave kushtetuese, këto çka thotë lidhur me Luginën e kështu me radhë, sigurisht bien jashtë kompetencave kushtetuese të një presidenti, siç është presidenti i Kosovës, ai ka të drejtë me fol vetëm për ratifikime dhe korrigjime të vogla territoriale të cilat kanë kaluar kongresin, por asnjëherë të jetë propozues origjinal i kompetencave që kanë të bëjnë me sovranitetin territorial, ato janë kompetenca ose të popullit ose të Kuvendit”.

Hasani shton se Gjykata Kushtetuese gjatë kësaj dekade ka krijuar standarde mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, me ç’rast bënë krahasime me standardet e Gjykatës së Strasburgut.

“Tash është kornizuar dhe disiplinuar, në aspektin e lirive dhe të drejtave të njeriut, Kushtetuta e Kosovës, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, sepse është parë që ato dy kapituj 2-shi dhe 3-shi nuk janë vetëm deklarata programatike, siç ka qenë dikur, por janë të drejta dhe liri normative me efekt normativ që duhet të vijnë në jetë drejtpërdrejtë nga të gjithë dhe me këtë duke marrë parasysh edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë dekadë, në interpretimin e saj ka krijuar standarde mbi liritë dhe të drejtat e njeriut që janë të matshme me shumë pika të standardeve të gjykatës së Strasburgut”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i kujton disa nga shkeljet e Kushtetutës.

“Ka pasur shkelje, por ato shkelje janë sanksionuar, 2 presidentë për 6 muaj janë gjet në shkelje, ka pasur sanksionime ndaj gjyqësorit, me ç’rast qindra vendime të gjykatës supreme janë anuluar, janë anuluar vendimet e organeve administrative shtetërore, kur kanë shkelë në të drejtat e njeriut, të gjitha shkeljet kushtetuese janë evidentuar nga gjykata kushtetuese në mënyrë autoritative përfundimtare i kanë anuluar dhe evituar ato shkelje”.

Hasani mendon se politika po synon të ndryshojë kompetencat e saja kushtetuese dhe juridike.

“Politika po shikon me dalë prej normave kushtetuese-juridike dhe për të vepruar pafrenuar në ushtrimin e kompetencave kushtetuese, prandaj është gjykata kushtetuese dhe ndarja e pushteteve dhe balancimi i pushteteve, gjykata tregon kur janë tejkaluar kufijtë kushtetues, përjashtimisht rastit të VLAN-it, ju e dini unë kam pas shantazhe direkte prej kryeministrit aktual me atë rastin e videos, përveç atij rasti të VLAN-it vendime të tjera si e di unë deri sot janë zbatuar, edhe pse ai është shoqëruar me dhunë, me shantazh kryesisht ndaj meje”, ka deklaruar Hasani.

Ndryshe, Kushtetuta  u ratifikua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi