Universiteti i Harvardit ka ngritur një padi kundër administratës Trump për ngrirjen e granteve federale për universitetin prestigjioz amerikan. Padia e ngritur është pjesë e tensioneve që janë përshkallëzuar javën e kaluar kur institucioni elitar hodhi poshtë një listë kërkesash që administrata Trump tha se ishin krijuar për të frenuar iniciativat e diversitetit dhe për të luftuar antisemitizmin në shkollë.
Presidenti Donald Trump ngriu 2.2 miliardë dollarë fondet federale dhe kërcënoi gjithashtu statusin e universitetit të përjashtuar nga taksat. “Pasojat e vendimeve të qeverisë do të jenë të rënda dhe afatgjata”, tha presidenti i Harvardit, Alan M. Garber në një letër drejtuar universitetit.
Garber tha se ngrirja e fondeve ndikoi në kërkime kritike, duke përfshirë studimet mbi kancerin tek fëmijët, sëmundjen e Alzheimerit dhe sëmundjen e Parkinsonit.
“Në javët e fundit, qeveria federale ka nisur një sulm të gjerë ndaj partneriteteve kritike të financimit që e bëjnë të mundur këtë kërkim”, thuhej në padinë e shkollës.
Shtëpia e Bardhë u përgjigj më vonë të hënën mbrëma në një deklaratë.
“Saga e ndihmës federale për institucionet si Harvardi, të cilat pasurojnë burokratët e tyre tepër të mbipaguar me dollarë taksash nga familjet amerikane në vështirësi po i vjen fundi. Fondet e taksapaguesve janë një privilegj dhe Harvardi nuk arrin të përmbushë kushtet bazë të kërkuara”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Field.
Përveç financimit, administrata Trump ditë më parë kërcënoi gjithashtu aftësinë e Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë. Kampusi i Harvardit ka pasur probleme me antisemitizmin, tanimë janë krijuar grupe pune për të punuar për këtë problem. Universiteti do të publikojë raportin e dy grupeve të punës që shqyrtojnë paragjykimet antisemitiste dhe anti-myslimane.
Universiteti i shquar amerikan nuk është i vetmi institucion që përballet me ngrirjen e fondeve federale, të cilët luajnë një rol të madh në financimin e zbulimeve të reja shkencore. Administrata ka synuar institucione të tjera private të Ivy League, duke përfshirë pezullimin e 1 miliardë dollarëve në Universitetin Cornell dhe 510 milionë dollarëve në Universitetin Brown.
Të tjerë si Universiteti i Kolumbias, epiqendra e protestave pro-palestineze vitin e kaluar, kanë rënë dakord me disa kërkesa, pasi u kërcënuan nga administrata amerikane për ngrirjen e 400 milionë dollarë fonde federale.
Politikanë të shumtë demokratë dhe universitete të njohura në të gjithë vendin kanë shprehur mbështetje për Harvardin, por administrata e Trump ka këmbëngulur që universiteti të kërkojë falje. Bllokimi i fondeve për universitetin ngre pikëpyetje se sa larg është e gatshme të shkojë administrata e presidentit. Sido që të ndodhë, një betejë ligjore ka të ngjarë që të hapet në të ardhmen dhe shumë akademikë priten të ngrenë padi të tjera.